Arrestohen tre persona, tentonin t’ia merrnin Doganës 15 milionë euro

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Rreth 15 milionë euro do të mund të ishte dëmi për të cilin janë arrestuar tre persona të dyshuar.

Siç mëson Koha Ditore, Njësia për Krime Ekonomike e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit kanë arrestuar, A. M. dhe M. A. pronarë të dy kompanive, si dhe përmbaruesen Rr. M. Ata janë arrestuar me dyshimin se kanë falsifikuar dokumente, me të cilat synohej të përfitoheshin këto mjete nga Dogana e Kosovës.

Një burim mirë i informuar me rastin, i ka thënë gazetës se të tre dyshohen se “me dokumente të rrejshme kanë nxjerrë një urdhër përmbarues gjoja Dogana e Kosovës i ka njërës prej kompanive borxh rreth 15 milionë euro”.

Hetimi kishte nisur pas informatave që kishin rrjedhur se në Gjykatë po rrezikohej Dogana prej një padie. Njësiti për Krime Ekonomike ka nisur mbledhjen e fakteve rreth këtij rasti.

Pas analizimit të dokumentacionit të dërguar përmes padisë në Gjykatë njëra nga kompanitë pretendonte se ka sasi të madhe të derivateve të Doganës që i kanë në ruajtur që nga viti 2001. Por sipas burimeve në hetuesi pas verifikimit që është bërë në kompani nga organet e drejtësisë kanë rezultuar vetëm dy rezervuare të mbushura me ujë.

Portali Koha.net ka kontaktuar me zëdhënësit në Policinë e Kosovës dhe është në pritje të versionit zyrtar të ngjarjes.

Baki Kelani i ka thënë portalit se “në momentin e pranimit të informacioneve/raportit zyrtar, do ju informojmë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme