Policia gjermane arreston tre të dyshuar të ISIS-it, besohet se kishin planifikuar sulme
Policia gjermane i ka arrestuar tre persona në qytetin perëndimor, Offenbach, të martën nën dyshimin se ishin duke planifikuar sulm me bombë në emër të grupit të ashtuquajtur Shteti Islamik.
Prokurorja e qarkut të Frankfurtit, Nadja Niesen, tha se personat e arrestuar dëshironin të vrisnin sa më shumë njerëz të besimit tjetër në rajonin Rhine-Main. Ajo shtoi se nuk është përcaktuar ndonjë vend ku do të kryheshin sulmet, por besohet që kjo gjë do të zbulohet pas analizimit të dëshmive të sekuestruara në tri shtëpi të ndryshme në Offenbach.
Agjencitë gjermane të inteligjencës dhe policia janë vënë në gjendje të lartë gatishmërie për sulme të mundshme nga militantët islamikë që nga koha kur një azilkërkues nga Tunizia i mbyti 12 njerëz me një kamion në një treg të hapur në Berlin para tre vjetësh.
I dyshuari kryesor që u arrestua të martën është një djalë 24-vjeçar me origjinë nga Maqedonia, i cili dyshohet se planifikonte të prodhonte mjete shpërthyese dhe ishte përpjekur të blinte armë përmes internetit. Dy të arrestuarit e tjerë janë shtetas turq të moshës 21 dhe 22-vjeçare.
Prokurorja Niesen tha se këta persona kishin pranuar para të tjerëve se janë përkrahës të ISIS-it dhe të gjithë janë të njohur për policinë.
Në shtëpinë e të dyshuarit kryesor u gjetën substanca që mund të përdoren për të prodhuar mjete shpërthyese, dokumente dhe të dhëna elektronike.
Pritet që gjykata të marrë vendim të mërkurën nëse do t’i gjykojë tre të dyshuarit apo vetëm njërin prej tyre, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.