Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një 22 vjeçar në Ferizaj, i cili kishte therur me thikë një person tjetër.
Rasti ka ndodhur ditën e sotme rreth orës 11:55, transmeton Telegrafi.
“Stacioni policor në Kaçanik nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, sot rreth orës 11:55 ka pranuar një informacion se afër pompës së benzinës ‘’Vata petrol’’ në fshatin Vatë të Kaçanikut është një rast therje me mjet të fortë ( thikë).
Në lidhje me këtë, policia ka marr veprimet e duhura dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pas një punë intensive të policëve të rendit dhe hetues , rreth orës 12:25 kanë arritur të arrestojnë personin e dyshuar me inicialet F.N (M/K) i moshës 22 vjeçar, i cili kishte therur me një mjet të fortë ( thikë) personin tjetër me inicialet T.D ( M/K) i moshës mbi 30 vjeç , i cili nga ky incident ka pësuar lëndime të rënda në kraharorë dhe pasi ka pranuar ndihmën mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj , i njëjti për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se shkak i këtij incidenti kishte ardhur pas një mosmarrëveshje që kishin këta të dy një javë më parë në fshatin e tyre Vatë.
“I dyshuari, pasi është arrestuar nga policia është shoqëruar në stacionin policor dhe po intervistohet për procedura të mëtejme hetimore. Ndërkaq, në vendin ku ka ndodhur ngjarja janë kyçur edhe Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj për të mbledhur dëshmi materiale dhe deklarative se si ka ardhur deri të ky incident”, vijon njoftimi.