Ish-shefi i operativës për regjionin e Mitrovicës Jugore, Nexhip Gashi, është arrestuar mbrëmë në pikën kufitare të Vërmicës nën dyshimin për armëmbajtje pa leje.
KALLXO.com mëson se ai është arrestuar së bashku me një zyrtarë tjetër të lartë të Ministrisë së Drejtësisë pasi policia zbuloi një kallashnikov dhe një revolver pa leje.
Lajmi për incidentin është konfirmuar nga drejtori rajonal i Mitrovicës Nehat Thaçi.
Ai i ka thënë KALLXO.com se Gashi tashmë është suspenduar nga puna në Policinë e Kosovës.
“Mbrëmë jam njoftuar se ai është ndaluar me një sasi të vogël të armëve dhe kam marrë vendim në bazë të kompetencave të mia për suspendimin e tij”, tha Thaçi.
Në anën tjetër zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani nuk ka dhënë detaje të tjera rreth këtij incidenti.