Policia e Londrës ka arrestuar një trafikant shqiptar që drejtonte një grup kriminal që sipas autoriteteve ka dërguar në Angli qindra emigrantë të fshehur në kamionë frigoriferikë. Kreu i bandës është Alket Dauti, i cili është arrestuar nga policia britanike në Londër në një apartament pas një hetimi të gjatë.
Në momentin e arrestimit, sipas mediave britanike ai iu drejtua njërit prej oficerëve që kishin qenë të infiltruar me fjalët “Ty të mbaj mend shumë mirë”. Ndërsa kur po hipte në makinën e policisë, shqiptari iu drejtua gazetares “Shkruani mirë për mua, kapët fotografi të mira?” Banda ushtronte aktivitetin kriminal prej disa kohësh, ndërsa më parë janë arrestuar 10 persona të tjerë në Francë dhe në Spanjë.
Ndërkohë që Shqiptarja.com ka siguruar edhe disa foto të tjera të Alket Dautit, që u arrestua në Londër për llogari të drejtësisë belge. Dauti është me origjinë nga Hasi, ndërkohë që dyshohet se ka trafikuar një numër të madh personash nga Shqipëria për në Angli.