Arrestohet Korab Gashi, i dyshuar për grabitjen e argjendarisë në Suharekë – Ndodhej në arrati qe 7 muaj

Prishtinë | 01 Kor 2024 | 22:53 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës sot më 1 korrik 2024 gjatë një operacioni të organizuar nga njësitet relevante të saj ka arrestuar në Prishtinë personin e dyshuar me inicialet K.G., i cili dyshohet se është i perfshirë në rastin e Grabitjes së argjentarisë në Suharekë.

Ai ndodhej në arrati që nga muaji nëntor i vitit 2023 dhe tani më është arrestuar nga autoritetet policore, ka bërë të ditur Policia e Kosovës, në një njoftim në orët e mbrëmjes.

Sinjali raporton se Gashi u kap nga Njësia Speciale Intervenuese (FIT), sonte rreth orës 21:00, gjatë një operacioni në Prishtinë.

Korabi është vëllai i Dukagjinit, që ishte vrarë gjatë konfrontimit me Policinë e Kosovës gjatë një aksioni të gjerë, nëntorin e kaluar që lidhej me rastin e grabitjen në argjendarinë ‘Diakos 2’ në Suharekë.

Por, Policia nuk arriti ta kap edhe një të dyshuar, vëllain e Dukagjinit. Korab Gashi – i cili arriti të zhduket dhe të shpëtojë nga prangosja deri sonte kur edhe u kap.

Gashi, po ashtu me të kaluar kriminale, u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës më 13 dhjetor 2023, ku u bë e ditur se ndaj tij është lëshuar urdhërarresti nga organet e drejtësisë.

Dukagjin dhe Korab Gashi, Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku ishin cak i Policisë mesditën e 30 nëntorit.

Njësi të shumta policore zbarkuan në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë dhe realizuan kontrolle në shtatë lokacione të ndryshme.

Lokacioni ku u vra i dyshuari Dukagjini ishte lagjja Dragodan në Prishtinë, ku u kapën disa nga të dyshuarit, por që u parapriu një shkëmbim zjarri mes Policisë dhe Gashit.

Gjatë zhvillimit të operacionit, Dukagjin Gashi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë të dyshuarin.

Të ngjashme