Policia e Kosovës, konkretisht Njësiti Rajonal i Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) Prishtinë, pasi ka pranuar informatën për keqpërdorime dhe shkelje ligjore në komunën e Prishtinës, ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore.
Dyshimet hidheshin mbi një të dyshuar në sektorin e pagesave të tatimit në pronë. Pas hetimeve disa javore, hetuesit e NJRHKEK-së, kanë ardhur në përfundim se e dyshuara N. D., viti i lindjes 1980, f/k/sh, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka keqpërdorur pozitën e saj dhe nga muaji mars deri në tetor 2019, ka lëshuar vërtetime të pagesave të tatimit në pronë pa dëshminë se personat në fjalë janë të liruar nga kjo taksë prej
10 euro (vërtetime për regjistrimin e automjeteve).
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme, sigurimit të dëshmive, intervistimit të dëshmitarëve dhe intervistimit të të dyshuarës në prezencën e avokatit, në konsultim me prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore Prishtinë, e dyshuar dërgohet në mbajtje prej 48 orë.