Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë arrestuar një person të dyshuar për rastin e zjarrvënies në afërsi të fshatit Semetisht të Suharekës. Njëkohësisht kanë apeluar tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos ndezin zjarre në natyrë.
Ndërsa autoritetet e komunave të rajonit të Suharekës, Prizrenit, Ferizajt dhe Pejës kanë bërë të ditur se ditëve të fundit janë përballur me numër të madh të zjarreve, shkruan sot Koha Ditore.
25 zjarre janë shënuar në fundjavë në rajonin e Pejës, teksa në Ferizaj numri i tyre në dhjetëditëshin e fundit ka arritur në 103.
Zjarrvëniet “të qëllimshme”
Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi, ka bërë të ditur se të dielën, në Suharekë, pas një pune hetimore të njësiteve relevante policore, “është arritur të identifikohet dhe të arrestohet një person i dyshuar (V. M.), i cili dyshohet se në fshatin Semetisht të Suharekës, në vendin e quajtur Rezinat ka kryer veprën penale ‘zjarrvënie’”.