Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të ndara në komunën e Istogut, që kanë të bëjnë me posedim të paautorizuar të armës dhe posedim të substancave të dyshuara narkotike.
Në rastin e parë, që lidhet me datën 19 korrik 2026, policia ka bërë të ditur se pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku një i mitur shihej duke mbajtur një armë në dorë, njësitet policore kanë zhvilluar hetime dhe kanë arritur ta identifikojnë e arrestojnë të dyshuarin.
I mituri është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa policia ka bërë të ditur se gjatë veprimeve hetimore nuk është gjetur asnjë armë. Rasti vazhdon të hetohet.
Ndërkaq, në një rast tjetër, të hënën rreth orës 20:35, është arrestuar një person tjetër në Istog, pasi gjatë kontrollit në çantën e tij policia ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të substancës së dyshuar narkotike, lloji dhe pesha e së cilës nuk janë bërë të ditura.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.