Policia e Kosovës me datën 14 dhjetor 2018 ka pranuar autorizim nga Prokuroria Themelore Prishtinë për të zhvilluar hetime, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar” dhe “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”.
Lidhur me këtë rast, me datën 22 janar 2019, njësitet policore kanë bërë arrestimin e një personi të dyshuar, për kryerjen e veprave të lartcekura.
Personi i arrestuar lidhur me këtë rast është: K. B. lindur me 1962 m/sh/k.
I dyshuari punonte si zyrtar në Zyrën e Gjendjes Civile në Skenderaj, ka lidhur martesa fiktive në mes të nënshtetasve të RKS-së dhe atyre të BE-së, me ç’rast edhe ka lëshuar certifikata martesore pa prezencën e çifteve martesore. Këto certifikata janë përdorur në Gjermani për rregullimin e lejeve të qëndrimit atje. Me vendim të prokurorit të dyshuarit të lartcekur i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.