Arrestohet pjesëtari i FSK-së në ShBA, bëri seks me 14-vjeçare

Prishtinë | 23 Qer 2016 | 13:23 | Nga

Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës – është arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën akuzat se ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur – 14 vjeçe.

I. Sekiraqa, 23-vjeçar dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale më 8 dhe nëntë qershor.

Ai rrezikon deri në shtatë vjet burgim, njofton “Pulaksi County Daily News”, transmeton Insajderi.

Në dokumentet e dorëzuara në Gjykatë të hënën, thuhet se të afërmit e të miturës kanë thënë se vajza është dhunuar në dy raste të ndara nga I. Sekiraqa.

Sekiraqa është pjesëtar i FSK-së që po merr pjesë në një trajnim në Fort Leonard Woods si student ndërkombëtar.

Dokumentet e hetimeve të dorëzuara në gjykatë nuk tregojnë për gradën e tij ushtarake.

Në raportin e hetuesisë thuhet se vajza që jeton në shtetin Misuri ka qenë duke punuar si dado tek halla e saj në Pulaski County, javën e kaluar.

Por, të afërm të 14-vjeçares i kanë thënë autoriteteve se ajo ka thënë se ka menduar që është në dashuri me Sekiraqën, dhe se nuk ka dashur që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.

Hetuesit e kanë intervistuar të miturën të hënën, por ajo nuk ka dashur të japë deklarata duke thënë se nuk dëshiron që të fusë askënd në probleme.

Ajo e ka përshkruar Sekiraqën si shok nga Kosova të cilin e ka njohur për rreth dy javë dhe se në dy raste të ndara, kur ajo ka qenë tek halla e saj për të punuar si dado, kanë “fjetur” së bashku por që të dy nuk kanë pasur të veshur rroba.

14 – vjeçarja ka thënë se i ka treguar për këtë ngjarje motrës së saj, dhe arsyeja pse ka shkuar në spital ka qenë të bëjë test të shtatzënisë dhe të vërtetojë që nuk ka marrë ndonjë sëmundje të transmetueshme.

Vajza pastaj i ka treguar edhe hallës së saj lidhur me marrëdhënien e saj me ushtarin nga Kosova.  Me të kuptuar lajmin, ajo ka shkuar tek Sekiraqa dhe e ka pyetur atë lidhur me rastin. Sekiraqa i ka pranuar asaj se ka pasur marrëdhënie seksuale me të miturën dhe ka kërkuar nga ajo që të mos e raportoj rastin, thuhet në raportin e hetuesit.

Insajderi ka komunikuar me Ministrinë e FSK-së, e cila nuk është përgjigjur ende për rastin.

Të ngjashme