Një shqiptar është arrestuar në aeroportin e Xhenovës sapo ka zbritur nga avioni pasi ai ishte shpallur në kërkim pas një vendimi gjykate të Savonës për trafik droge.
Operacion i policisë italiane i koduar “Tender meat”, ka çuar në pranga një 33-vjeçar shqiptar i konsideruar si një nga furnizuesit e drogës në pjesën perëndimore të Ligurias.
Ai bashkë me dy shqiptarë të tjerë 28 dhe 25 vjeç, kishin hapur një dyqan mishi, por e përdornin atë për të shitur kokainë dhe hashash.
Edhe kodet që përdornin ata gjatë shitjeve apo porosive kishin të bënin me profesionin e kasapit por që në të vërtetë fshihnin lloje të drogave dhe sasinë e saj. Bifteku “fiorentin”, “brinjë” dhe “fileto” do të zëvendësonin peshën e barnave të ndryshme, 20, 10, 5 e kështu me radhë. Kjo tregti “mishi” sipas policisë italiane u sillte rreth 50 mijë euro të ardhura në javë.
Ata akuzohen për trafik droge dhe pastrim parash. Arrestimi i shqiptarëve mbyll operacionin e madh që në muajin shkurt çoi në arrestimin e 14 personave. Janë sekuestruar 1 kilogram kokainë dhe 16 kg hashash, si dhe 39,500 euro para.