Arrestohet spiuni i rrejshëm i AKI-së

Prishtinë | 11 Dhj 2018 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë (NHKEK), pas një pune hetimore në teren, duke realizuar dhe aplikuar masat e fshehta të përgjimit të telekomunikimeve, më 11.12.2018, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka arritur të ndalojë të dyshuarin: E.J. viti i lindjes 1992.

I njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale: ‘Prezantim i rremë si person zyrtar’, ‘Spiunazh’ dhe ‘Falsifikim i dokumenteve’, andaj i njëjti është shoqëruar në njësinë kompetente për procedura të mëtejme, njofton Klan Kosova.

I njëjti dyshohet se ka përpiluar një dokument të rremë gjoja se është zyrtar në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe atë dokument e ka përdorur në kohën kur është ndalur nga Policia e Kosovës gjatë kontrollit rutinë, duke i venë në lajthim nën arsyetimin se është me detyra apo punë konkrete nga AKI-ja.

Policia ka sekuestruar dokumentin e falsifikuar me të cilin ka vepruar dhe prezantuar në mënyrë të kundërligjshme apo të rreme.

Pas përfundimit të gjitha veprimeve paraprake hetimore sipas Policisë së Kosovës i dyshuari është intervistuar në cilësi të dyshuarit në prezencën e avokatit mbrojtës dhe me aktvendim mbi ndalimin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ai është dërguar në mbajtje prej 48 orëve, njofton Klan Kosova.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat e saja kushtetuese e ligjore, të shtojë aktivitetet në luftimin e dukurive antiligjore, të mbajë rendin dhe sigurinë publike, të parandalojë dhe t’i zbulojë veprat penale, theksohet në kumtesën e dërguar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme