Arrihet marrëveshja: Kosova dhe Bosnja ia heqin vizat njëra-tjetrës

Prishtinë | 21 Tet 2022 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Qytetarët nga Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina së shpejti do të mund të udhëtojnë pa viza në mes dy vendeve, si pjesë e marrëveshjeve të vendeve të Ballkani Perëndimor që sapo është arritur në Procesin e Berlinit.

Këtë e bëri të ditur ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e cila po ashtu njoftoi se të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndmor do të njohin diplomat e njëra-tjetrës, si dhe kualifikimet në punë.

“Në këtë kohë, në të cilën dikush ndonjëherë rrezikon të humbasë shpresën, sot ishte një ditë e bashkimit: Ballkani Perëndimor po afrohet më së bashku. Të gjashtë vendet kanë rënë dakord për marrëveshje qendrore – kjo mund të duket e vogël, por është një hap gjigant”, ka shkruar Baerbock në Twitter, transmeton Klankosova.tv.

“Ne punuam për të për një kohë të gjatë, tejkaluam përçarje të thella dhe bashkuam vendet”, shtoi ajo.

Dokumenti përfundimtar do të nënshkruhet në samitin e 3 nëntorit në Berlin, në prani të gjithë liderëve të shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe përfaqësuesve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisionit të BE.

Marrëveshjet e arritura janë tre nga katër marrëveshjet, për të cilat liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kishin rënë dakord qysh në samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020, asokohe nën ish-kancelaren Merkel. Por ato mbetën të paimplementuara për shkak të mungesës së vullnetit politik të Kosovës dhe Serbisë. Kosova ngulte këmbë që ajo të merrte pjesë në këto marrëveshje si Republikë e Kosovës, gjë që nuk e pranonte Serbia. Kompromisi i arritur, duket se i ka tejkaluar këto mosmarrëveshje.

Të ngjashme