Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump thotë se është arritur marrëveshje me Meksikën mbi politikat e migracionit, duke thënë se kërcënimet e tij me tarifa “janë pezulluar”.
“I lumtur të ju informoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar marrëveshje me Meksikën. Tarifat e SHBA-së, që ishin paraparë të hynin në fuqi më 10 qershor ndaj Meksikës, janëpezulluar përfundimisht”, ka shkruar në Twitter, presidenti Trump.
“Në anën tjetër, Meksika është pajtuar që të marrë masa të forta për të frenuar rrjedhjen e migracionit përmes Meksikës dhe kufirit tonë jugor. Kjo po bëhet për të reduktuar apo eliminuar emigracionin ilegal që vjen nga Meksika për në Shtetet e Bashkuara”.
Ndërkaq, përmes një postimi në Twitter, ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard tha se “nuk do të ketë aplikim të tarifave nga SHBA-ja”.
Më 30 maj, presidenti Trump njoftoi se do të vendosë tarifa prej 5 për qind ndaj importeve të Meksikës, derisa ky shtet të ndalë rrjedhën e migrantëve ilegalë, që kalojnë kufirin për në SHBA. Presidenti amerikan kishte shtuar se tarifat gradualisht do të rriteshin në 25 për qind “derisa problemi i migracionit të zgjidhej”.