Arsenali do ta regjistrojë sezonin më të dobët në Premierligë që nga viti 1995, pas disfatës me rezultat 1:0 të martën kundër Aston Villa në xhiron e parafundit të ligës për këtë sezon 2019/20.
Disfata me rezultat 1:0 bën që Topçinjtë ta kenë të mundur ta përfundojnë në ligën vetëm në pozitën e tetë, nëntë apo dhjetë, që varet nga rezultati i ndeshjes së fundit të sezonit, që zhvillohet të dielën në Emirates kundër Watfordit.
Në vitin 1995, Arsenali kishte rënë në pozitën e 12-të në tabelë në një sezon kur trajneri George Graham ishte shkarkuar në mes të sezonit, pas gati nëntë vjetëve si trajner i klubit londinez.
Tani që i ka mbyllur të gjitha ndeshjet si mysafir për këtë sezon, Topçinjtë e kanë barazuar rekordin e tyre më të keq në ndeshjet si mysafir brenda një sezoni, duke i regjistruar vetëm katër fitore.
Dy nga katër fitoret e Arsenalit si mysafir, kundër Southamptonit dhe Wolves, kanë ardhur pas rinisjes së sezonit në qershor, ndërsa fitoret kundër Newcastle dhe West Hamit ishin regjistruar më herët këtë sezon.
Ky është gjithashtu sezoni i tretë radhazi që Arsenali i ka humbur dhjetë ndeshje radhazi në ligë.
Disfata e fundit i dha fund një jave mbresëlënëse për Arsenalin e Mikel Artetas, që kishte regjistruar fitore në ligë kundër Liverpoolit dhe fitore kundër Manchester Cityt në gjysmëfinalen e FA Cup.