Tre pikët e fituara nga ndeshja kundër West Hamit nuk e ngritën Arsenalin më lart sesa në pozitën e nëntë në tabelën e Premierligës, përkundër që vetëm pesë pikë i ndajnë Topçinjtë nga rivali londinez Chelsea që radhitet i katërti në ligë.
Arsenali arriti ta fitojë me epërsi minimale 1:0 përballjen kundër West Hamit, në ndeshjen që u zhvillua sot në stadiumin Emirates, e vlefshme për xhiron e 29-të të Premierligës.
Arsenali dhe West Hami e zhvilluan një ndeshje argëtuese qysh në pjesën e parë. Jarrod Bowen e goditi shtyllën qysh pas 93 sekondave lojë në Emirates, ndërsa Michail Antonio, i cili më parë kishte gabuar në një rast një-kundër-një me portierin, e humbi një tjetër rast të mirë duke e gjuajtur topin jashtë kuadratit.
Edhe nikoqirët i patën rastet e tyre në pjesën e parë, kur Sokratis i shkoi shumë afër golit, përderisa Edward Nketiah nuk iu aprovua kërkesa për një penallti në fund të pjesë së parë.
Pjesa e dytë shkoi më mirë për skuadrën e Mikel Artetas, që arriti t’i marrë tri pikët e kësaj ndeshjeje falë golit të shënuar nga Alexandre Lacazette në minutën e 78-të të ndeshjes.
Goli i Lacazette fillimisht u anulua nga gjyqtari për pozitë jashtë loje, por pas një kontrollimi nga VAR-i, goli u cilësua i rregullt pasi që sulmuesi u duk se ishte pak më prapa sesa Angelo Ogbonna, kur pasimi i Mesut Ozilit ia mundësoi ta mposhtë portierin Lukasz Fabianksi,.
Arteta shpreson që lojtarët e tij do ta përdorin këtë fitore për t’u motivuar para ndeshjes kundër Manchester Cityt, që do të zhvillohet në Etihad vetëm katër ditë më vonë. /Gazeta Express/