Në aktivitetin “Shtjellime”, me temën “Arsimi në 360°: Reflektime në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit”, u theksua roli i sistemit arsimor dhe gjatë këtij diskutimi u përmend edhe ndikimi i inteligjencës artificiale, raporton Ekonomia Online.
Hulumtuesi i pavarur nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, Selim Mehmetaj, theksoi punën e departamentit për mbështetje profesionale, por gjithashtu përmblodhi edhe konferencat vjetore për sistemin arsimor.
“Krahas departamentit për kërkime pedagogjike, kemi edhe themelimin e departamentit për mbështetje profesionale që lidhet me sistemin, me fokus në arsimin universitar. Puna kërkimore e institutit në vazhdimësi publikohet në kuadër të kërkimeve pedagogjike dhe në kuadër të publikimeve që bëhen në konferencën vjetore. Dua të bëj një përmbledhje të konferencave që ndërlidhen me cilësinë e arsimit. Ajo e vitit 2024 kishte pikërisht temën e vlerësimeve dhe gjendjen e cilësisë në arsim dhe aty patëm mundësinë të trajtojmë tematika të ndryshme nga studiues vendorë dhe ndërkombëtarë. Kjo e fundit lidhet me aspektet gjithëpërfshirëse të zhvillimeve në arsim, nga arsimi i hershëm deri te arsimi profesional. Tash, kur flasim për cilësinë në arsim, është një term kompleks, por në praktikë i referohemi cilësisë së shërbimeve, cilësisë së produkteve dhe rezultateve, dhe kjo pashmangshëm na çon edhe te cilësia e sistemit tonë arsimor. Kur u referohemi studimeve, ka studiues dhe debate për përcaktimin e masave për sistemin e cilësisë në arsim dhe kryesisht dominojnë ato që e reflektojnë performancën e një sistemi arsimor në raport me vlerësimet ndërkombëtare. Fakti që Kosova në dekadën e fundit ka qenë pjesë e disa vlerësimeve ndërkombëtare, tani kemi një informatë kthyese se çka është cilësia e sistemit të arsimit”, tha Mehmetaj.
Bashkëthemeluesi i Kolegjit Universum, Alejtin Berisha, tha se puna e mësimdhënësve ka ndryshuar dhe se ata përballen me vështirësi.
“Jemi në një pikë, me të vërtetë jemi në pikën e ndryshimit më të madh në histori. Sidomos inteligjenca artificiale është duke e ndryshuar mënyrën se si punojmë dhe si jetojmë, ndërsa arsimi është duke lëvizur shumë më ngadalë, si gati çdo herë, dhe më tutje jemi duke funksionuar në sistemin e revolucionit industrial të shekullit XIX. Tash nuk ka më vështirë se me qenë sot arsimtar, drejtues i institucioneve, me i përgatit nxënësit për punët të cilat nuk e dimë se si duken, sepse realisht nuk e dimë se si ka me u duk tregu i punës për tri vite, e lëre më për pesë apo pesëdhjetë. Në vitin 2017 kisha folur për profesionet e së ardhmes dhe profesionet në zhdukje, duke iu referuar një studimi, dhe gati 90% të asaj që kisha thënë e kisha gabim komplet, por edhe ai studimi i Oksfordit kishte gabuar. Unë u bazohesha në to. Profesionet që kam menduar se do të zhdukeshin, si pasojë, po del që nuk është ashtu, por po zhduken shumica e profesioneve intelektuale apo ‘white collar’”, tha Berisha.
Besa Shahini përmendi revolucionin e teknologjisë dhe pikëpyetjen për ndikimin e saj në sistemin arsimor, mirëpo theksoi tri elementet e arsimit.
“Gjithçka që ndërtohet në sistemin arsimor e ka kyç rolin e shtetit. Kur është zbuluar radioja, njerëzit kanë menduar se ka ndryshuar thelbësisht mënyra se si transmetohen dijet, sepse tashmë është radioja dhe nuk ke vetëm komunikim mes mësuesit dhe nxënësit, por mundesh me transmetu te të gjithë përmes radios. Mirëpo ajo nuk e transformoi arsimin. Kur është zbuluar televizioni, menduan se definitivisht do të ndodhte transformimi, sepse mundesh me qit mësues në televizion, mirëpo sërish nuk ndryshoi shkolla. Kur u zbulua interneti, ishte e njëjta pikëpyetje. Ajo çka nuk ka ndryshuar asnjëherë dhe që është thelbi i arsimit: nxënësi e ka përballë mësuesin dhe përmbajtjen. Tash përmbajtja mundet me u transmetu përmes librit apo videove, por është një dije që transmetohet mes mësuesit dhe nxënësit. Kur e pyesim veten se çka duhet me u bë, natyrisht përgjigjja nuk është krejt e thjeshtë, sepse ka mënyra të ndryshme se si politikat arsimore mund të ndryshojnë sistemin e arsimit, mirëpo duhet pasur parasysh këto tri elemente që i përmenda më lart. Forumi Ekonomik Botëror vitin e kaluar e ka nxjerrë një studim për punët e së ardhmes dhe ata, njëjtë sikur studimi i Oksfordit, mundohen me i nënvizu aftësitë që janë të dobishme për të ardhmen dhe punët që do të ekzistojnë, si dhe vendet e punës që nuk do të ekzistojnë më. Thuhet se në pesë vitet e ardhshme, 40% e aftësive që i kanë sot njerëzit në tregun e punës nuk do të jenë më të dobishme. Aftësitë e dobishme përtej vitit 2030 janë të menduarit analitik, njohuritë mbi inteligjencën artificiale dhe aftësitë e buta si fleksibiliteti dhe qëndrueshmëria”, tha ajo.
Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim të ETEA-s me Bibliotekën “Hivzi Sulejmani”.
