Arsyeja prapa publikimit të listës nga ministri Murati, sipas zëdhënësit të VV-së

Prishtinë | 22 Pri 2021 | 21:05 | Nga Ekonomia Online

Publikimi nga Qeveria i listës prej 50 bizneseve që përfituan më së shumti nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike, është bërë për të kuptuar se kush ka përfituar, tha zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, duke shtuar se kjo parti ka deklaruar se pako nuk është e rimëkëmbjes.

“Opozita asokohe, pra VV, shumë herë ka deklaruar që kjo pako nuk është e rimëkëmbjes dhe për këtë disa kritikonin se po i mbysim bizneset duke u pamundësuar të merrnin të hollat”, ka nënvizuar Manxhuka. “Dhe e pamë sot kush ka përfituar”.

Ministri Murati, publikoi sot listën e 50 ndërmarrjeve që përfituan më së shumti nga fondi 60 milionë eurosh i qeverisë Hoti, i dedikuar për bizneset e prekura nga pandemia COVID-19.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në frymën e transparencës, po ashtu edhe në zbatim të marrëveshjes financiare ndërkombëtare me Bashkimin Evropian të nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend, publikon listën e 50 bizneseve që përfituan më së shumti nga pako prej 60 milionë eurove, e shpërndarë nga Qeveria e kaluar në tetor të vitit 2020”, shkroi sot Murati, në njoftimin e tij.

Të ngjashme