Pavarësisht nëse ju pëlqen të mbuloheni me disa batanije apo të flini vetëm në dyshek të pambuluar, nuk ekziston mënyra e drejtë për të fjetur. Por nëse po përpiqeni ta mbani një peshë të shëndetshme, atëherë kjo mënyrë mund të ekzistojë: hulumtimi tregon se fjetja në dhomë të ftohtë mund të ndihmojë në nxitjen e metabolizmit tuaj dhe t’ju bëjë të digjni më shumë kalori, madje edhe gjatë ditës.
Kur keni qenë fëmijë, i keni pasur dy lloje të yndyrës. Yndyra e bardhë është ajo që zakonisht e imagjinoni kur mendoni për yndyrën: ajo i akumulon kaloritë. Kjo është pak a shumë e gjitha që bën. Në kontrast, yndyra ngjyrë të kafenjtë është ajo që do ta quanit metabolikisht aktive; ajo djeg kalori për të gjeneruar ngrohje. Foshnjat nuk e kanë zhvilluar ende aftësinë për t’u dridhur, kështu që ato kanë nevojë për një mënyrë tjetër për të qëndruar ngrohtë – yndyra ngjyrë kafe në këtë rast del në ndihmë. Pasi që të bëheni më të vjetër dhe të keni gjetur mënyra të tjera për ta mbajtur temperaturën tuaj të trupit, e keni humbur shumicën e yndyrës tuaj ngjyrë kafe. Një tjetër e vërtetë e pikëllueshme e të qenit njeri.
Por një studim i vitit 2014 i publikuar në revistën “Diabetes” sugjeroi se mund t’i rritni nivelet e yndyrës ngjyrë kafe në trup duke fjetur në një mjedis të ftohtë. Hulumtuesit i rekrutuan pesë vullnetarë të shëndoshë meshkuj për të fjetur në dhoma me temperatura të kontrolluara tek Institutet Kombëtare të Shëndetësisë për katër muaj (atyre u ofruan edhe rroba dhe çarçafë spitalorë – çfarë luksi!). Hulumtuesit e mbajtën të kontrolluar konsumimin e kalorive të të anketuarve duke ua ofruar të gjitha ushqimet. Gjatë muajit të parë, meshkujt fjetën në një temperaturë neutrale prej 24 gradë Celsius. Muajin vijues, temperatura u caktua në 19 gradë Celsius, pastaj u rivendos në neutrale për një muaj. Muajin e fundit e kaluan duke fjetur në një temperaturë të nxehtë prej 27 gradë Celsius.
Temperaturat e ftohta e kishin një efekt të madh në trupat e meshkujve. Pas një muaji të fjetjes në temperaturë të ftohtë, meshkujt gati i dyfishuan rezervat e tyre të yndyrës ngjyrë kafe, gjë që ndihmoi në përmirësimin e ndjeshmërisë së tyre ndaj insulinës – një masë kjo që ndikohet nga ndryshimet në sheqerin në gjak dhe përdoret përgjithësisht si shenjë e shëndetit metabolik. Ata madje djegën më shumë kalori gjatë ditës. Por sapo erdhën përmirësimet, ato lehtësisht u zhbënë: muaji i fjetjes në temperaturë të ngrohtë e zvogëloi yndyrën e tyre ngjyrë kafe në nivelet para eksperimentimit. Me gjithë këtë, ky është një lajm i mirë. Për ta nxitur metabolizmin tuaj, mund të nevojitet vetëm një muaj gjumë në temperaturë të ftohtë.