Artan Behrami konfirmon se është përsëri në garë me PDK-në për deputet

Prishtinë | 06 Dhj 2025 | 20:07 | Nga Ekonomia Online

Artan Behrami ka konfirmuar vazhdimin e garës së tij politike, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve edhe një herë me numrin 75 në listën e PDK-së, pas rezultatit të tij si i 12-ti më i votuar i kësaj partie.

Behrami është shprehur se zgjedhjet e 9 shkurtit ishin moment i rëndësishëm ku, sipas tij, 27,143 qytetarë të Kosovës “e mbajtën në mend emrin dhe numrin”, duke e mbështetur nga të gjitha shtresat shoqërore — veteranë, gazetarë, artistë, policë, ushtarë, mjekë, biznesmenë, pensionistë, gra dhe të rinj.

Ai thekson se fushata që nisi muaj më parë nuk ka përfunduar dhe se kjo përkrahje, sipas tij, nuk është vetëm për personin e tij, por për çështjet që ai pretendon të ketë përfaqësuar deri më tani.

Behrami theksoi dy motivet kryesore të angazhimit të tij: mbështetjen për ish-udhëheqësit e UÇK-së të mbajtur në Hagë – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi – si dhe mbështetjen për Bedri Hamzën për kryeministër.

Duke u ndalur te zhvillimet e fundit politike, ai foli për “përndjekje, persekutim dhe tentim për ndryshim të historisë nga Gjykata Speciale”, si dhe “dështime dhe keqqeverisje”, duke thënë se për këto ai ka ngritur zërin si deputet dhe do ta bëjë këtë, siç u shpreh, “kudo që do të jetë në të ardhmen”.

Në përfundim, Behrami ka kërkuar votën dhe mbështetjen e qytetarëve, duke u kujtuar atyre edhe një herë numrin 75, me të cilin garon në listën e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Të gjitha betejat i kam filluar nga fundi. Të gjithave u kam dalë në krye,” përfundon ai në mesazhin e tij.

Të ngjashme