Studiuesi i politikës sociale, Artan Mustafa, thotë se zbatimi i sigurimit shëndetësor do t’i rrisë pagat e sektorit publik automatikisht për rreth 20 milionë euro.
Në një artikull të botuar në revistën Kosovo 2.0, ai shkruan se fillimi i zbatimit të sigurimit shëndetësor, që pritet të ndodhë më 2019, nuk do t’iu shërbejë interesave ekonomike të shtresave më të varfra në Kosovë.
Sipas tij, Ligji për Sigurimin Shëndetësor, i miratuar më 2014 nga Kuvendi i Kosovës, rrjedh gati në plotni nga rekomandimet e Bankës Botërore.
Po në vitin 2014, Banka Botërore kishte filluar një projekt pesëvjeçar për shëndetësinë në Kosovë, në vlerë të 25.5 milionë dollarëve, në të cilin projekt Banka thotë se sigurimi i propozuar shëndetësor “mund ta forcojë mbrojtjen financiare, posaçërisht për të varfrit”.
Mustafa pohon se është e vërtetë që sigurimi i personave që njihen si zyrtarisht të varfër – që marrin ndihmën sociale – tani do të mbulohet nga buxheti shtetëror duke u dhënë atyre qasje në shërbime dhe barna pa pagesë. Gjithashtu, financat e përgjithshme të mbledhura nga punëtorët do të rriten, njofton Klan Kosova.
“Këto aspekte janë të mirëseardhura dhe i kontribuojnë forcimit të rishpërndarjes dhe barazisë sociale”.
“Mirëpo, në thelb pozita ekonomike e shtresës më të pafavorizuar në treg, në përgjithësi, do të dobësohet me sigurimin e paraparë”.
“Fillimi i zbatimit të ligjit do të vazhdojë të favorizojë burokratët dhe do t’i ngris automatikisht rrogat e sektorit publik për rreth 20 milionë euro. Këto rroga do të financohen nga buxheti kombëtar në të cilin të varfrit kontribuojnë relativisht më shumë përmes taksave të konsumit”.
“Mund të pritet edhe keqpërdorimi i mundësisë që përfituesit e transfereve tjera sociale, duke marrë parasysh fryrjen e listave të veteranëve, të konsiderohen gjithashtu të varfër pa mbështetje dhe për ta sigurimi të mbulohet njëjtë nga buxheti kombëtar, pra kryesisht nga të varfrit”.
Në anën tjetër, sipas Mustafës, mundësia e përjashtimit të madh social nga sigurimi shëndetësor për shtresën me më pak pushtet në shoqëri është reale për shkak të shkallës së ulët të punësimit që do të mbetet nën 30%.
“Për shkak të kontekstit të Kosovës, ka potencial që ky ligj t’iu shërbejë më shumë institucioneve private shëndetësore. Nuk është larg mendsh që, duke marrë për bazë privatizimin e madh në Kosovë, një numër i institucioneve publike mund të çohen komplet drejt falimentimit. Kjo do ta rriste koston për qytetarët”.
Mustafa mendon se në dekadat e fundit Kosova ka përjetuar privatizimin më të madh të të drejtave sociale. Më herët ai ka shkruar se Parlamenti duhet ta anulojë Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, të miratuar më 2014, dhe t’i hapë rrugë modelit të Sigurimit Kombëtar Shëndetësor, i cili do të ishte më i përshtatshëm për gjendjen aktuale të Kosovës.