Bekim Lumi, krijues i pakompromis e zë origjinal i skenës teatrore

Prishtinë | 31 Kor 2018 | 08:30 | Nga

Kur Bekim Lumi hynte në Teatrin Kombëtar të Kosovës për të nisur provat, ardhja e tij s’ka kaluar zakonshëm.

Paralajmërimi “erdhi Bekimi” ka nënkuptuar shumë: se erdh koha e punës, disiplinës, koncepteve të reja artistike, e vërejtjeve të shumta për aktorë. Por edhe koha e një shfaqjeje të veçantë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Lumi i tillë ka qenë gjithmonë. Sado që sëmundja e bëri që t’i duhet më shumë kohë për ta inskenuar shfaqjen e tij të fundit, “Arturo Ui”, premiera e së cilës u dha më 14 qershor të këtij viti, ai asnjëherë nuk hoqi dorë nga realizimi deri në perfeksion i koncepteve të tij artistike.

Insistimi e niveli i pakompromis kreativ e kanë bërë të veçantë Lumin, i cili vdiq të hënën. Ai ishte 52 vjeç. Artisti më origjinal e regjisori i shfaqjeve më të mira kosovare të dy dekadave të fundit është vlerësuar Lumi nga kolegët e tij. Është quajtur edhe emblemë e teatrit bashkëkohor.

Testamenti i fundit

I lindur më 17 dhjetor 1966 në Suharekë, Lumi nga viti 1987 deri më 1991 ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Prej vitit 1992 deri më 1996 ka studiuar për Regji Teatri në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit. Në të njëjtin universitet, më 2010 ka përfunduar edhe studimet e magjistraturës. Nga viti 2002 deri në vitin 2008 ka punuar si gazetar i fushës së kulturës në Radion Evropa e Lirë.

Gjatë këtyre viteve ai ka punuar si regjisor i pavarur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në teatrin “Dodona”, si dhe ka realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”. “Mësimi”, “Galani”, “Arushani dhe fejesa”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “Këmisha e gjakut”, “Dilerat”, “John Cage’s Hamlet”, “Nana dhe fëmija” dhe e fundit “Arturo Ui”, janë disa prej shfaqjeve me të cilat mbahet mend Lumi.

Ishte një prej regjisorëve kosovarë, shfaqjet e të cilit kanë marrë pjesë në shumë festivale, si në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bosnjë-Hercegovinë e në vende të tjera…

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme