“Gjenerata e parë – 77” me artin që shënoi kthesë

Prishtinë | 07 Dhj 2018 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Vepra në pikturë, skulpturë dhe grafikë janë bërë tok në vend. Emëruesi i përbashkët është se të gjithë autorët e tyre janë diplomuar më 1977. I takojnë gjeneratës së parë të artistëve të diplomuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

Muzeu i Kosovës të enjten mbrëma u bë nikoqir i kësaj ekspozite kolektive, e para e këtij lloji, që do të pasojë edhe me të tjera të këtij formati, gjeneratash më pas. E titullar “Gjenerata e parë – 77”, ekspozita vjen edhe me katalogun në formë të monografisë e cila sjell biografi të shkurtra të artistëve të asaj gjenerate.

Janë 22 artistë të gjeneratës së parë, por në ekspozitë janë prezantuar vetëm vepra të disa prej artistëve që ende jetojnë. Në mesin e tyre vepra të Agim Salihut, Ali Bejtës, skulptura e Nënës Terezë e punuar nga Asim Lokaj, skulptura të Luan Mulliqit. Në këtë ekspozitë u prezantuan edhe dy punime të Musë Prelvukajt, Nezir Ramosajt, Kamoran Gorancit, Skender Idrizit, Shapi Çitakut, Ukë Latajt e Vullnet Begollit. E vetmja artiste është Valbona Zherka që prezantohet me dy tapiceri.

Stilet unike të secilit prej këtyre artistëve, loja me ngjyrën, kompozicionin dhe më pas skulpturat moderne dhe ato në formë të busteve dëshmojnë zhvillimin e artit në vend. Fryma moderne dhe qasjet e tyre tregojnë për nivelin artistik dhe trashëgiminë artistike që ata po lënë prapa, për të shërbyer edhe si model për gjeneratat e ardhshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme