Instrumentisti eksplorues i tingujve të folklorit

Prishtinë | 17 Mar 2019 | 11:46 | Nga Ekonomia Online

Do të duhej të ishte i lodhur. Një natë më parë ka performuar për 55-vjetorin e lindjes në koncertin etno-jazz “Event 55”, në mesin e shumë të tjerëve. Në natën e dy marsit, ai dhe muzikantë të njohur si Ilir Bajri në piano e Armend Xhaferi në kitarë qenë bërë tok në teatrin “Oda” në një rrugëtim muzikor, që qe dëshmi e hapjeve të horizonteve të reja për muzikën popullore.

Megjithatë, Afrim Sadiku pa pikë hezitimi fillon rrëfimin e tij të gjatë, ku shpërfaq dashurinë për muzikën dhe dëshirën që asaj t’i japë gjëra të reja, shkruan sot “Koha Ditore”.

E tëra kishte nisur si një lojë për të, në formën e një rrëfimi paksa të largët edhe në kohë, edhe në realitet. Atij i kishin rrëfyer se babai i tij, Metush Sadiku kishte qenë vokalist i zoti. Nuk kishte munguar në dasma e gëzime.

Sadiku kujton se si i kishin thënë se atëherë këngëtarë të mirë kanë qenë ata me zërin e fuqishëm, që me të kënduar “shymnin llambën”. Por babai i tij nuk kishte ditur të luante në çifteli, e as nuk ishte mësuar ndonjëherë. Ai e kishte pyetur hoxhën e fshatit se si mund ta mësonte çiftelinë e nga aty kishte buruar një histori shumë e pazakontë.

Lidhja e pazakonshme me çiftelinë

Hoxha i kishte thënë se kush shkon natën te varrezat dhe i bie çiftelisë mbrapa shpinës do të bëhet mjeshtër i saj.

Në vend se ta mësonte çiftelinë, babai i Afrim Sadikut kishte përjetuar frikë e tmerr. Por hoxha e kishte gjetur një tjetër arsyetim më pas, “ani Metush se dikush prej familjes tande nuk ka me lanë pa e trashëgu çiftelinë”, i kishte thënë.

Të ngjashme