Libri “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, rikthen heroin në mënyrë vizuale

Prishtinë | 26 Jan 2019 | 14:36 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është promovuar libri “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, i autorit Luan Tashi.

Në promovimin e këtij libri ka marrë pjesë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, nën patronatin e të cilit u mundësua ky promovim, raporton Ekonomia Online.

Më këtë rast, Haradinaj është shprehur mirnjohës ndaj autorit i cili sipas tij përmes këtij libri pas kaq shumë vitesh ka arritur të sjellë gjithë veprimtarinë e heroit kombëtar, Skënderbeut në mënyrë vizuale.

Ai tha se Skënderbeu është hero i përmasave më shumë se kombëtare.

“Ajo që më ka bë përshtypje kur kam qenë shumë i ri, fëmijë, në mënyrë obligative kemi lexu vepra për heroin tonë. Por kam pasë rastin të lexoj edhe vepra të shkrimtarëve të huaj.  Tani heroi ynë na vjen në mënyrën vizuale. Diçka që kemi pa në mënyrë konsekuence, si  një pikturë, një përshkrim, secili prej nesh është në gjendje me i dhënë përshkrimet për kryeheroin tonë por sa mirë me i pasë të gjitha bashkë në mënyrë vizuale”, tha Haradinaj, raporton EO.

Kryeministri Haradinaj pati një falënderim për të  gjithë bashkëkombësit që me kaq besnikëri e ruajnë veprën e heroit kombëtar, Skënderbeut.

“Duke qenë kështu unë sot nuk kam zgjedhë me fol se sa e madhe ka qenë vepra e kryeheroit tonë por kam zgjedhë me thënë faleminderit atdhetarëve tanë që e ruajnë veprën e kryeheroi tonë”, tha ai.

“Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, u vlerësua lartë si një vepër e cila ka sjellë vizualisht veprimtarinë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Profesori i Fakultetit të Filozofisë, recensent i librit, Astrit Salihu, ka thënë se ky libër ka bërë që vepra e Skënderbeut të njihet në tërë Evropën.

“Atë që e kam pa në këtë vepër të Luanit është një sfidë në vete sepse këtë vepër e ka bë si një lajm të mirë. Sepse e pash se unë si shqiptar nuk kam nevojë t’i tregoj askujt në Evropë se kush ka qenë Skënderbeu. Ajo që më bën përshtypje është se kjo faktografi mbetet për shekuj me radhë në qytetet e fortifikuara evropiane. Ironia është se qytetet evropiane janë të fortifikuara për ne sepse ne jemi pasardhësit e Skënderbeut”, tha Salihu, raporton Ekonomia Online.

Bujar Vani, skulptor nga Shqipëria, e vlerësoi këtë vepër si një nga prurjet më të mëdha të krijuara ndonjëherë për Skënderbeun.

“Shpreh bindjen time se një ndër prurjet më të mëdha që do sjell në mend kremtimin e 550 vjetorit është botimi i autorit i Luan Tashit që me modesti e titulloi ashtu. E them me modesti nuk mund të quhet sepse është përtej modestisë, nuk është thjesht album portretesh, por është më shumë se kaq”, tha ai.

Profesori Gjon Berisha tha se këto portrete të heroit Skenderbeu i gjejmë të punuara në pikturë e skulpturë.

“Ajo që e bën të veçantë është se si gjithë rrugëtimi është i shoqëruar nga konteksti i kohës që e ka shoqëruar heroin tonë. Portretet e heroit tonë i gjejmë të punuara në pikturë e skulpturë”, tha Berisha.

Autori i librit, Luan Tashi,  ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në përfundimin e librit.

Të ngjashme