Mbahet Sofra Poetike “Ymer Elshani” 2019

Prishtinë | 19 Pri 2019 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Në Drenas u mbajt manifestimi letrar tradicional, Sofra Poetike “Ymer Elshani” 2019, organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës. Në 20-vjetorin e rënies së shkrimtarit, ky manifestim  shënoi dhe përurimin e kompletit të veprave letrare të tij.

Në fjalën e rastit Kryetari Lladrovci falënderoi të pranishmit  dhe tha se ndihet i nderuar që në 20 vjetorin e rënies të marrë pjese në këtë manifestim dhe falënderoi drejtoreshën e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Drenasit për bashkëpunimin me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës  dhe garantoi se ky manifestim do të ketë përkrahjen e vazhdueshme komunës.

Kryetari Ramiz Lladrovci falënderoi donatorët si dhe  të bijën e shkrimtarit, Teutën,  për kontributin e dhënë për këtë Sofër Poetike duke bërë të mundur që ky aktivitet të mbahet sipas planit të paraparë dhe për kontributin e ofruar që krijimtaria e shkrimtarit të përmblidhet në një komplet librash.

Në  Sofrën Poetike, fjalë rasti për jetën, veprimtarinë letrare, për vlerat artistike e patriotike të shkrimtarit, për karakterin e tij  human  e për atdhedashurinë mbajtën, Shqipe Zogu, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Drenasit, Hysen Matoshi  nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, Hasan Hasani,  Nezir Prokshi ndërsa shkrimi i Astrit Bisqemit  u lexua nga  Fitore Prokshi.  Ndërsa e bija e autorit Teuta   porositi të pranishmit  që ta duam vendin tonë  dhe të mos lejojmë që asgjë të mos e zbehë dashurinë ndaj atdheut.

Në këtë manifestim  kulturor u deklamuan 30 poezi të autorëve të ndryshëm.  Juria në përbërje të Xhevahire Morinës,  Ramadan Mehmetit dhe Ramë Oracës  përzgjodhi për çmimin e tretë poezinë e autores Ramije Ukaj, për vendin dytë Reisi Meçe,   ndërsa vendi i parë i takoi Zeqir Bekollit. Çmimi special  i Sofrës Poetike i takoi  krijuesit Agim Berisha.

Të ngjashme