Takimi i parë me Kadarenë dhe poezia “Kosova”

Prishtinë | 21 Dhj 2021 | 12:27 | Nga Fehmi Pireva

Shfletoj librin me poezi të Ismail Kadares “Pa formë është qielli”. Të përmbledhura janë 100 poezi. Në mesin e tyre, gjendet poezia Kosova. Në fund të saj, shënon viti 1966.

Pa personalizuar asgjë nga viti, as nga poezia, viti 1966 është viti i lindjes sime.

Po e lexoj në kohë adoleshence poezinë, e cila fillon me vargun: Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd, Kosovë…

Poezia prek imagjinatën time… Pyetje, pas pyetje? Mos vallë Kadare, ka kaluar me avion mbi qiellin e vendlindjes sime? Mbi qiellin e saj, dhjetëra kilometra nga Aeroporti “Adem Jashari”, ku ngritën dhe fillojnë uljen avionët çdo ditë.

Ca pika shiu u rrokullisën nga dritarja e avionit, diç thanë

(As ato s’mund t”i prek dot, janë përjashta.)

Vjen pyetja e radhës, që sërish del nga fantazia e adoleshentit: mos ca pika shiu që rrokullisën nga dritarja e avionit, ishin pika shiu mbi qiellin e vendlindjes sime?

11 nëntor 2016, marr guximin në një mbrëmje, në Bulevardin e Tiranës, ta “ndjek” pas, Ismail Kadarenë.
Takimi i parë, rastësi.

Në kryeqytetin e Tiranës, bie shi imcak. Pika shiu, sikur ato që prekën dritaren e avionit, ndoshta mu si ato mbi qiellin e vendlindjes së këtij “adoleshenti” dikur.

Dhe vazhdon vargu:
Një vetëtimë që kaloi përbri m’u duk se ma bëri me dorë.

…Dhe gjer këtu ku jemi sot, sa e sa ëndrra bartëm me apo pa avion, nga Shqipëria në Kosovë, nga Kosova në Shqipëri, duke udhëtuar nëpër qiellin shqiptar, me vargjet e Ismail Kadares.

Të ngjashme