Vushtrria mirëpret “Takimet e poeteshave shqiptare” – Fituese e edicionit të 40-të jubilar është Kaltrinë Uka

Vushtrri | 26 Nën 2022 | 20:59 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Vushtrri është mbajtur festivali tradicional mbarëshqiptar i poezisë “Takimet e poeteshave shqiptare”, i cili ka mbledhur poeteshat nga të gjitha trojet shqiptare, raporton Ekonomia Online.

Në këtë eveniment kulturor-artistik, pjesëmarrës ishin 21 poetesha të cilat recituan poezitë e tyre dhe u vlerësuan nga një juri profesionale.

Në hapje të manifestimit garues, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka folur se si ky festival tradicional i poezisë është mbajtur për dekada të tëra nëpër periudha të vështira.

Idrizi tha se Vushtrria mund të quhet qytet i poezisë.

“Vushtrria është i vetmi qytet në trojet shqiptare që para 40 vjetësh themeloi festivalin e poezisë që i mbledh poeteshat mbarë-kombëtare dhe jo vetëm nga trojet shqiptare, por edhe nga Amerika e largët”.

“Kjo është e veçantë në fushën e poezisë, në fushën e artit e kulturës sepse kur atë kohë u themelua festivali i poezisë, ‘Poeteshat shqiptare’, përmes vargjeve të shkruara të poezisë, shprehën dashurinë ndaj atdheut dhe familjes por shprehën edhe kundërshtimin ndaj okupatorit shekullor serb”, tha Idrizi.

Njëri ndër themeluesit e këtij festivali, Qamil Sahiti, foli për vështirësitë që kanë pasur për organizimin e këtij festivali, në fillimet e tij dhe më pas në kohët e vështira që kaloi vendi.

“Para 30 vjetësh kur shqiptarët i kishin larguar nga institucionet, një grup të rinj nga Vushtrria e rivazhduam sepse ka pasur një ngecje të takimeve të poeteshave. E rivazhduam, por edhe e riemëruam në ‘Takimet e poeteshave shqiptare’, sepse deri në atë kohë ishte ‘Takimi i poeteshave kosovare’”.

“Kishte shumë vështirësi sidomos organizimi për takimin e parë të këtij festivali, së pari organizative e pastaj edhe financiare”, tha Sahiti.

Vendi i parë i ka takuar poeteshës mitrovicase, Kaltrinë Uka, me poezinë “Nën timbrin e këtij malli”.

Poezia e dytë më e mirë është vlerësuar “Trishtimi i mjellmës” e poetes Bujana Xhindoli.

Ndërsa, këtë vit u ndanë dy çmime për vendin e tretë. Fituese ishin poetja Linda Hoxha me poezinë “Dromca malli” dhe Teuta Duma me poezinë “Gruaja që deshe”.

Për herë të parë është ndarë çmimi për debutuesen më të mirë, të cilin e fitoi Jetlira Avdiaj me poezinë “Mes valeve të detit”; si dhe çmimi jubile, i cili i takoi poetes Filize Pllana

Gjithashtu u ndanë mirënjohje për kontribuesit dhe themeluesit e këtij festivali.

Ky ishte edicioni i 40-të jubilar i “Takimeve të poeteshave shqiptare”, i cili festival tradicionalisht mbahet në qytetin rrëzë Çyçavicës.

Të ngjashme