Një në katër të rinj në Kosovë jashtë punës, arsimit dhe trajnimeve profesionale

Prishtinë | 29 Pri 2026 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

Rreth një në katër të rinj në Kosovë nuk janë të punësuar, nuk ndjekin arsim dhe as nuk janë të përfshirë në trajnime profesionale. Kështu thuhet në studimin e organizatës Demokracia për Zhvillim (D4D) mbi Indeksin e Pjesëmarrjes së të Rinjve, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha ekzekutive në Demokracia për Zhvillim (D4D), Rezarta Krasniqi shpjegoi mënyrën e realizimit të këtij hulumtimi.

Ajo, tha se është hera e dytë që Kosova vendoset si pjesë e këtij indeksi.

“Për të realizuar sa më mirë hulumtimin, ne kemi organizuar edhe takime validuese me profesorë dhe ekspertë të ndryshëm në këtë drejtim. Andaj është hera e dytë që Kosova vendoset pjesë e indeksit të pjesëmarrjes së të rinjve, ku nga 25 indikatorë të cilët janë indikatorë rajonalë dhe bëhet një matje e institucioneve të ndryshme me këto të dhëna, kemi arritur që si Kosovë t’i mbledhim 21 indikatorë që janë të dhëna mjaft solide në këtë drejtim dhe na tregojnë shumë mirë se cilat janë sfidat e të rinjve për t’u orientuar në politika publike dhe si të jemi mjaft të informuar në këtë drejtim. Paralelisht kësaj kemi punuar dhe kontribuar edhe në hulumtimin rajonal të të rinjve në këtë drejtim që të kemi të dhëna të krahasueshme. Pra, përveç që kemi mbledhur të dhëna të vendit ku synojmë të nxisim politikat publike, kemi mbledhur të dhëna që të krahasojmë se ku qëndrojmë edhe me rajonin në këtë drejtim. Andaj kjo ka kontribuar mjaft shumë në transparencën, krahasueshmërinë edhe të tregojmë mjaft mirë bashkëpunimin rajonal të organizatave, mirëpo edhe të rinjve në këtë drejtim.

Një element shumë i rëndësishëm i gjithë këtij procesi ka qenë përfshirja e akterëve të ndryshëm në këtë drejtim apo palët e interesit dhe gjithashtu ka qenë çështje kritike niveli i lartë i të rinjve në NEET (të rinjtë që nuk janë në punë, arsim apo trajnim). Gjithashtu kemi hapur një thirrje ku kemi mbështetur 5 organizata në këtë drejtim për të forcuar ekosistemin e shoqërisë civile dhe për të rritur besueshmërinë në nivel lokal në këtë drejtim. Mirëpo për t’u përzgjedhur 5 organizata që kemi mbështetur, kemi pasur një thirrje dhe një vullnet mjaft të madh të shumë organizatave ku kemi pasur deri 31 aplikime në këtë fushë, që tregon një interesim mjaft të lartë të organizatave që të punojnë me të rinjtë në nivel lokal dhe kemi parë që të rinjtë ende kanë interesim mjaft të lartë që të merren me aktivitete jashtë sistemit kurrikular që tashmë e kanë”, tha Krasniqi.

Zëvendësshef i Bashkëpunimit nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi foli për rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve, duke shtuar se të rinjtë janë ende të nën-përfaqësuar në jetën politike dhe shpesh përballen me pengesa në qasjen në arsim cilësor dhe punësim.

“Jam këtu sot për të reflektuar mbi një çështje që është thelbësore për të ardhmen e Evropës, e cila është pjesëmarrja e të rinjve. Në të gjithë kontinentin, përpjekjet për të fuqizuar të rinjtë udhëhiqen nga Strategjia e BE-së për Rininë 2019–2027, e cila promovon angazhimin, lidhjen dhe fuqizimin brenda Bashkimit Evropian dhe në rajonet partnere. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në Kosovë, që është shtëpia e një prej popullsive më të reja në Evropë. Ky realitet demografik mbart premtime të mëdha, por gjithashtu nxjerr në pah pengesat që ende kufizojnë aftësinë e shumë të rinjve për të marrë pjesë plotësisht në shoqëri. Gjetjet e fundit nga Indeksi i Pjesëmarrjes së të Rinjve tregojnë një tablo të përzier. Ndërsa është bërë njëfarë përparimi, pjesëmarrja mbetet e pabarabartë. Të rinjtë janë ende të nën-përfaqësuar në jetën politike dhe shpesh përballen me pengesa në qasjen në arsim cilësor dhe punësim. Të kombinuara me rrezikun e vazhdueshëm të varfërisë, këta faktorë kufizojnë ndjeshëm aftësinë e tyre për t’u angazhuar dhe për të kontribuar. Përjashtimi ekonomik është një pjesë e madhe e kësaj realiteti. Nivelet e larta të papunësisë tek të rinjtë dhe numri i atyre që nuk janë në punësim, arsim apo trajnim vazhdojnë të ngushtojnë mundësitë e disponueshme për ta”, tha ai.

Zëvendësministri i Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, Sylejman Elshani tha se indeksi përbën pasqyrë për nivelin e përfshirjes së të rinjve në fusha të ndryshme.

“Indeksi i pjesëmarrjes së të rinjve përbën një instrument të rëndësishëm analitik, i cili përmes një metodologjie të standardizuar dhe indikatorëve të qartë, ofron një pasqyrë të thellë mbi nivelin e përfshirjes së të rinjve në dimensionin politik, ekonomik dhe social. Ky indeks shërben si një bazë e fuqishme për vlerësimin e progresit, identifikimin e sfidave dhe orientimin e politikave drejt nevojave reale të të rinjve. Të dhënat dhe të gjeturat e prezantuara sot janë thelbësore për të kuptuar më mirë pozitën e të rinjve në shoqërinë tonë dhe për të ndërmarrë politika të gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe efektive. Në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë mbetet kyç për avancimin e agjendës rinore”, tha ai.

Të ngjashme