Zake Prelvukaj thotë se sfidat si grua e kanë fuqizuar në art

Prishtinë | 30 Jan 2019 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Artistët për nga natyra janë opozitë e politikës, ka thënë artistja Zake Prelvukaj, në kafenë e mëngjesit me njerëz që ishin mbledhur për të dëgjuar rrëfimin e saj.

Rrugëtimi artistik i saj u shpalos në atë që është quajtur “Programi i debatit dhe i edukimit”, ngjarje përcjellëse të ekspozitës “Burrneshat”, e hapur të premten e javës së kaluar në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Zake Prelvukaj është në mesin e 8 artisteve nga Kosova dhe 14 britanikeve, që nëpërmjet veprave të tyre krijojnë një mozaik për gruan përballë sfidave e guximit. “Ofshamë” është titulli i videoinstalacionit me të cilin Prelvukaj merr pjesë në “Burrneshat”, që është pjesë e projektit rajonal “Perceptimet”.

Me rrëfimin e saj prej artisteje, piktoreje, profesoreshe, dhe gruaje që për shumëkënd solli revolucion në artin kosovar, Prelvukaj është e para në kuadër të “Programit të debatit dhe të edukimit”.

Prelvukaj ka thënë se paragjykimet nuk e kanë zmbrapsur pasi që nuk i ka munguar guximi.

“Më vjen keq që ka gra që shpesh ia fshijnë emrin një gruaje tjetër përmes politikës. Ndërhyrjet politike më kanë bërë që të mos pranoj poste në institucione të kulturës”, ka thënë Prelvukaj. Për të “politika shkon e vjen, por krijimtaria mbetet”.

Arti për Prelvukajn, përveçse formë e dokumentimit të së bukurës, mbetet edhe formë e protestës dhe shpërfaqjes së problemeve shoqërore. Diskutimi i radhës në Galeri do të zhvillohet me artisten Arbana Hajredinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme