Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit ka ndarë dy çmime: për fuqizimin e grave dhe Çmimi i gazetarisë për ekonomi “Ibrahim Rexhepi”, shkruan Ekonomia Online.
Çmimi i gazetarisë për fuqizimin e grave është ndarë nga Ulirika Richardson për Artina Muqiqin.
Muqiqi tha se ky çmim vjen pas një punë të gjatë që ka bërë lidhur me problemet që ballafaqohen gratë e komunitetit romë dhe ashkali.
“Ky çmim është i rëndësishëm për mu se jepet për fuqizimin e Grave. Artikulli që është publikuar në revistën 2.0 ka qenë punë 6 mujore intensive dhe jemi mundu që në përmes atij artikull të tregojmë se me çka ballafaqohen gratë e komunitetit romë dhe ashkali gjatë procesit të shtatzënisë dhe lindjes”, tha ajo.
Ndërsa çmimi i gazetarisë për ekonomi “Ibrahim Rexhepi” është ndarë nga Jan Braathu për Besnik Boletinin.
Boletini tha se ky është ndër çmimet më të rëndësishme që ka pranuar deri tani me vet faktin se mban emrin e ish-gazetarit të ndjerë Ibrahim Rexhepi.
“Ky është hulumtim me sektorin e ndërtimit lidhur edhe me drejtat sociale të punëtorëve. Ky çmim është i veçantë për shkak se më të ndjerin Rexhepi kemi punu një periudhë të gjatë dhe jam i kënaqur që ky çmim mban emrin e tij dhe shpresoj që ky çmim të vazhdoj të jepet në emrin e tij.
Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e ka filluar me një instilacion artistik, duke shfaqur shprehjet fyese të politikanëve ndaj gazetarëve që janë bërë gjatë vitit të kaluar.