Rreth 80 mijë punonjës të sektorit publik do t’i marrin sot për herë të dytë pagat me koeficient të ri.
Por as në pagën e muajit mars, atyre nuk u janë llogaritur shtesat.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave kanë njoftuar sot se shtesat e muajve shkurt dhe mars do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit prill.
Ministria e Punëve të Brendshme, nëpërmes një komunikate për medie, njofton të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë, se sot do të disbursohen pagat e dyta sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi me datën 5 shkurt 2023.
“Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, në zbatim të Vendimit Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Thesarin e Shtetit/Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, përmes njësive për menaxhimin e burimeve njerëzore në institucionet e nivelit qendror dhe lokal, ka vazhduar punën gjatë gjithë muajit mars në plotësimin, përshtatjen dhe korrigjimin e të dhënave të të punësuarve në funksion të zbatimit efektiv të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik (më tutje referuar si: Ligji) dhe Vendimit të Qeverisë Nr.04/128 të datës 16.02.2023”.
Sipas njoftimit, komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar, kanë mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund/do të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu komisionet për shtesën për kushte specifike të punës dhe shtesën për kushte tregu dhe janë duke i trajtuar të gjitha kërkesat.
“Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i trajtimit të të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt dhe mars do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit prill”.
“Gjatë këtij muaji, me prioritet, ekipet përgjegjëse kanë punuar në përfshirjen në sistem të pagave për (i) punonjësit që nuk u kanë dalë pagat në muajt e kaluar, (ii) punonjësit që janë rekrutuar/kanë lidhur kontratë me institucionet publike pas hyrjes në fuqi të Ligjit. Për shkak të urgjencës, këtë muaj është arritur që të përfshihen në listat për disbursim kompensimet e veçanta për stafin diplomatik të Republikës së Kosovës që shërbejnë në misionet diplomatike dhe konsullore”, thekson MPB.
Puna në shqyrtimin dhe vendosjen e ekuivalencës përkatëse për secilën pozitë, sipas kësaj ministrie, ndikohet jashtëzakonisht shumë nga numri i kërkesave, prandaj, ekipet do të vazhdojnë të punojnë edhe në ditët dhe javët e ardhshme deri në adresimin e plotë të çdo pasaktësie në listat e pagave. “E shprehur në numër të kërkesave individuale, DMZP dhe Thesari, janë duke trajtuar një numër të madh kërkesash, prandaj, është shfaqur nevoja e përcaktimit të prioriteteve për shqyrtim sipas shkallës së urgjencës deri në këtë moment”.
MBP, së bashku me Ministrinë e Financave, njoftojnë “opinionin dhe të gjitha palët e interesuara” se përgjithësisht, por duke mos u kufizuar, kërkesat që po shqyrtohen kanë përafërsisht bazë si në shpjegimin e mëposhtëm:
Ministria e Punëve të Brendshme thotë se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, “do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe me udhëheqësit e institucioneve me qëllim adresimin më të shpejtë dhe më të saktë të të gjitha kërkesave që përmbajnë mospërputhje me përcaktimet e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik”.
MPB thekson se ky ligj ka reformuar rrënjësisht strukturën e pagave në sektorin publik për herë të parë në Republikën e Kosovës.
Në fakt, kundër Ligjit kanë shprehur pakënaqësi mbi 45 institucione, dhe bazuar në këto ankesa Institucioni i Avokatit të Popullit tashmë e ka dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese.
Zyra e Avokatit të Popullit ka bërë të ditur se kanë pranuar nga sindikatat dhe institucionet e vendit; por edhe profile të zyrtarëve të cilët ankesën e kanë bërë në emër të tyre individual dhe grupor. Disa nga institucionet dhe organizatat që janë ankuar.