Asamblistët kritikojnë Ahmetin për të gjeturat e Auditorit

Prishtinë | 31 Mar 2017 | 14:07 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asamblistët e Partisë Demokratike dhe ata të Lidhjes Demokratike në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë hedhur akuza të shumta në drejtim të kryetarit Shpend Ahmeti lidhur me Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015 për të cilin kanë thënë se ka gjetur shumë shkelje në këtë komunë.

Asamblisti nga radhët e PDK-së ka thënë se për këtë raport është dashur të debatohet më herët e jo në muajin e tretë të vitit dhe se njëra prej lëshimeve kryesore është që në mbledhjen e sotme është dashur të diskutohet për fazën e implementimit të rekomandimeve, raporton Ekonomia Online.

“Në raportin e viti 2015 kemi të paraqitura opinione të ndryshme të aplikuara nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm por e mira është se për vitin 2015 është opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes. Tërheqja e vërejtjes për faktin se vlera e pasurive prej më shumë se 2 milionë është shpalosur në vitin 2015 nuk është e regjistruar në regjistrin kontabël dhe kjo ka ndodhur sepse komuna nuk ka arritur t’i regjistrojë pasuritë e identifikuara”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se janë kryer pagesa paraprake pa kontratë.

“Bazuar në memorandumet për bashkëfinancim si pikë e dytë projekte llogari të donatorit dhe implementuesve të donatorit ishin kryer pagesa paraprake në vlerë prej 73 mijë e 685 euro nga buxheti për investime kapitale dhe 248 mijë e 280 nga buxheti për mallra dhe shërbime pa një kontratë-raport të pranimit në faturë dhe të themi në drejtim të mandatit të Isa Mustafës ka pasur edhe arrestime pikërisht pse janë dhënë në avancë pra janë paguar para ende pa u dëshmuar kryerja e punëve siç ndodhë tash me këtë konstatim që e bënë auditori”, ka pohuar ai.

Kurse shefi i grupit të asamblistëve të LDK-së, Agim Gashi, ka thënë se pasqyrat financiare në raport janë prezantuar drejtë duke shtuar se në aspektin e analizës së brendshme auditori përpos konstatimeve reale ka dhënë disa vërejtje.

“Disa nga të gjeturat të auditorit në raport janë këto: përkundër rekomandimeve që i ka dhënë nga raporti i vitit 2014 që ishin 21 ai në start ka konstatuar se prej tyre vetëm një rekomandim është marrë parasysh dhe është adresuar, dhjetë pjesërisht dhe dhjetë nuk janë adresuar fare. Në vitin 2016 ka identifikuar 35 rekomandime dhe ato kanë të bëjnë me procesin e regjistrimit dhe vlerësimit të pasurisë, ku thuhet se ekzistojnë papajtueshmëri me kërkesat në raport sepse shpaloset pasqyra financiare të cilën e përbëjnë gabime dhe mangësi të informatave lidhur me llogaritë e pagueshme dhe të arkëtueshme”, ka thënë ai.

 

Të ngjashme