Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka reaguar pas lajmit se djali i deputetes së VV-së, Mimoza-kusari Lilës, është sulmuar nga qentë endacakë.
Retkoceri ka shkruar në Facebook se sulmi i djalit të Kusari-Lilës nga qentë nuk e bën këtë dukuri të re, e as më të dhimbshme.
Sipas tij, kjo shpërfaq mospunën e Vetëvendosjes, që ka udhëhequr Komunën e Prioshtinës 6 vite.
“Sulmi që iu bë djalit të Mimoza Kusarit-Liles, nga qentë endacakë, nuk e bën këtë dukuri të re e as më të dhimbshme.
Përkundrazi, shpërfaq mos punën e partisë e cila ka udhëhequr e menaxhuar me Komunën e Prishtinës për 6 vite, Vetëvendosjes, e të cilës parti i takon Mimoza Kusari. Keqardhje për sulmin në fjalë, ndërkaq që sulmet nga qentë endacakë në Prishtinë janë bërë rrezik serioz për çdo fëmijë”, ka shkruar ai.
Retkoceri thotë se populizmi i VV’së nuk e ka zgjidhur problemin e qenve endacakë në Prishtinë.
“Populizmi dhe retorika e partisë tuaj Mimozë, nuk e zgjodhi këtë problem, ashtu siç nuk zgjodhi shumë probleme të tjera të qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Retkoceri.
Ndryshe, shefja e deputetëve të VV’së, Mimoza Kusari-Lila, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka njoftuar se gjendja e djalit të saj është e mirë, derisa ka publikuar edhe një fotografi me të.
“Edoni dhe ne familja ju falënderojmë për kujdesin e mbështetjen tuaj, për mesazhet dhe telefonatat tuaja. Ne kemi kaluar natën pa dhimbje dhe jemi zgjuar me disponim të mirë. Shëndet e gjithë të mirat për të gjithë e në veçanti për fëmijët”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ndryshe, për shkak të kafshimit që kishte marrë nga qentë endacakë, djali i saj ishte dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë, ku i ishte nënshtruar një intervenimi kirurgjik.