Reperi i njohur amerikan, ASAP Rocky, nuk ka harruar se nga vjen.
Tani që jeta e tij ka ndryshuar falë famës së fituar në botën e muzikës, reperi nuk ka harruar të kaluarën e tij andaj ka vendosur që t’i dhurojë ndihma ushqimore strehimores, në të cilën ka jetuar dikur, kanë shkruar të enjten mediat ndërkombëtare.
I nominuari i dyfishtë për çmimin “Grammy”, u shërbeu ushqime 83 familjeve, përfshirë në këtë mes 111 fëmijë.
Me këtë rast, Rocky u është përmbajtur rregullave kundër pandemisë COVID-19, duke respektuar distancën sociale dhe duke bartur maskë mbrojtëse.
Ky veprim i tij u komentua shumë në media, meqë Rocky dhe nëna e tij, Renee Black, kishin jetuar në strehimore gjatë fillimit të viteve 2000.
ASAP dhe nëna e tij besohet se kanë qenë përfitues të shërbimeve për të pastrehët dhe se kjo ishte një prej arsyeve kryesore pse reperi donte të merrte pjesë dhe t’i kthehej vendit, që u siguroi atyre një shtëpi të përkohshme, në kohën kur ata kishin më së shumti nevojë.