Pasi me shumë kujdes dhe përmbajtje janë prononcuar pas formimit të Qeverisë së Kosovës, duke përsëritur disa nga detyrat që e presin këtë qeveri, burimet në BE kanë sqaruar se nga Brukseli dhe shtetet anëtare nuk ka asnjë ndryshim në qëndrime nga koha kur ende në funksion ishte qeveria LDK-PDK e udhëhequr nga Isa Mustafa.
“Ndryshime ka pasur në Kosovë e jo këtu. Kosova ka qenë ajo që nuk i ka përmbushur dy kushtet e mbetura për liberalizim vizash dhe nuk ka zbatuar disa marrëveshje nga dialogu. Tash mbetet të shohim se si do të veprojë Kosova”, ka thënë një burim në BE.
Në BE të hënën kanë përsëritur se me formimin e Qeverisë së re në Kosovë nuk ka ndryshuar asgjë as lidhur me kushtet për liberalizim vizash. Kanë mbetur dy ende të papërmbushura, njëra për ratifikimin e Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi dhe tjetra mbi dëshmitë për luftë të suksesshme kundër krimit të organizuar në nivel të lartë, që përfshin edhe vendimet e gjykatave.
Sa i përket kushtit për liberalizim vizash, në pyetjen e përsëritur disa herë nga “Koha Ditore” se a është ratifikimi kusht apo vetëm “përparim efektiv”, që mund të thotë se ka ndoshta ndonjë fleksibilitet, Maja Kocijançiq, zëdhënëse për çështje të zgjerimit dhe punë të jashtme, ka thënë se “ratifikimi mbetet kusht”.