Ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Paddy Ashdown, thotë se ideja për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë është një “rrugë e shtruar me rrezik”.
Ashdown, në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, thotë se ideja e tillë do të krijonte precedent për shqiptarët në Maqedoni, për kufirin hungarezo-serb e madje edhe për presidentin rus, Vladimir Putin, për të marrë një pjesë të Ukrainës.
Ashdown dhe dy ish-përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë në Bosnje, Carl Bildt dhe Christian Schwarz-Schilling, i shkruan këtë javë letër të hapur shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, duke iu bërë thirrje që të heqin dorë nga planet për “tregtinë e territoreve” midis Serbisë dhe Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Ashdown, a mund të cilësohet si apel dramatik letra juaj drejtuar shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, në të cilën ju dhe dy përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë paralajmëroni kundër “tregtisë me territore” midis Kosovës dhe Serbisë?
Paddy Ashdown: Mund të përdorni cilëndo fjalë. Ajo është një deklaratë, paralajmërim i rëndësishëm për njerëz të caktuar në Ballkan dhe në Bashkimin Evropian që e kanë zgjedhur bashkërisht këtë rrugë të shtruar me rrezik.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ju brengos më së shumti kur bëhet fjalë për Bosnjën?
Paddy Ashdown: E gjitha thuhet në letër. Këtu gjoja se nuk bëhet fjalë për vendosje të precedentit, por shkëmbim të territoreve. Kushdo që e njeh Ballkanin, ashtu siç mendoj unë se ne e njohim, e di mirë se kjo do t’iu japë vetëbesim dhe mbështetje atyre që duan të shpërbëjnë Bosnjën.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mendoni, nga ka ardhur ideja për të ashtuquajturin korrigjim të kufirit midis Serbisë dhe Kosovës?
Paddy Ashdown: Mendoj se këto janë rrethana të rrezikshme. Mendoj se do nisë një seri kërkesash të ngjashme për korrigjim të kufijve, që do të shkaktojnë migrimin e pakicave dhe do të destabilizojnë disa vende, përfshirë Bosnjën. Për shembull, Maqedonia është në prag të një referendumi të rëndësishëm për të ardhmen e saj dhe mundësinë e anëtarësimit në BE. Por, nuk kam dilema se, nëse Presheva i bashkohet Kosovës, edhe shqiptarët në Tetovë dhe Gostivar mund të thonë se duan t’i bashkohen Kosovës. E gjithë kjo do t’i dëmtonte përpjekjet e deritashme për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Radio Evropa e Lirë: Në letër shkruani se BE-ja është e gatshme të mbështesë një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë që do të përfshinte edhe shkëmbimin e territoreve. Kush pajtohet me këtë ide në qarqet evropiane? Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se nuk mund të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan. Edhe vendi juaj, Britania, është kundër ndryshimit të kufijve.
Paddy Ashdown: Mund t’ju them vetëm atë që kam dëgjuar. Kam kuptuar se përfaqësuesja e lartë e BE-së, (Federica) Mogherini, është e gatshme ta mbështesë këtë ide. Mendoj se komisionari evropian për zgjerim (Johannes Hahn) është më pak entuziast ndaj këtij opsioni, por gjithnjë i gatshëm që ta mbështesë. Mirëpo, shtrohet pyetja nëse Mogherini ka mandat për këtë, nëse vendet më të rëndësishme evropiane, sidomos kancelarja gjermane, Merkel, janë kundër zgjidhjes së tillë. Pavarësisht nga kjo, Mogherini ka lënë të kuptohet se BE-ja është gati ta pranojë opsionin. Shpresoj shumë që kjo nuk është e vërtetë.