Kryetari i Këshillit Nacional të Ashkalinjve të Serbisë, Erdel Osmani, i ka dhënë mbështetje të plotë kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiqit për ruajtjen e tërësisë së territorit të Serbisë edhe Kosovën brenda saj. Milaim Ramadani, përfaqësues i ashkalinjve të Mitrovicës, e kundërshton Osmanin madje thotë se kurrë në jetë nuk ka dëgjuar për ashkalinjtë e Serbisë
Ashkalinjtë që jetojnë në Serbi kanë vlerësuar se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Republikës së Serbisë dhe i kanë dhënë mbështetje kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për ruajtjen e tërësisë territoriale të Republikës së Serbisë. Posaçërisht kreu i ashkalinjve të Serbisë, Erdel Osmani, ka kërkuar nga kryeministri Vuçiq dhe nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë që “të luftojnë” për Kosovën për ta mbajtur në përbërje të Republikës së Serbisë, shkruan gazeta ‘Zeri’.
Kryetari i Këshillit Nacional i Ashkalinjve, Erdel Osmani, bashkë edhe me dy-tre ashkali të tjerë, ka shkuar tek zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Dushan Kozarev, për të biseduar për problemet e ashkalinjve të Kosovës.
“I japim mbështetje të plotë politikës së Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Aleksandër Vuçiq, si dhe përpjekjeve të Zyrës për Kosovë e Metohi dhe drejtorit Marko Gjuriq me qëllim të ruajtjes së tërësisë territoriale të shtetit të Serbisë dhe stabilitetit rajonal, njëkohësisht edhe avancimit të kushteve për jetë në Krahinë”, ka thënë Osmani.