Asistenti i Ahtisarit flet për shkëmbimin e territoreve, thotë se s’është ide e bashkësisë ndërkombëtare

Prishtinë | 15 Gus 2018 | 12:09 | Nga

Kai Sauer, shefi i misionit të Finlandës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, njëherësh ish-asistent i Marti Ahtisaarit ka komentuar idetë për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi nëpërmjet ndryshimit të kufijve.

Sauer ka thënë për Deutsche Welle se as komuniteti ndërkombëtar, as përfaqësuesit e institucioneve evropiane nuk i kanë ngritur idetë e ndryshimit të kufijve.

Lexoni të plotë intervistën e tij:

Deutsche Welle: Çfarë ka ndodhur me planin Ahtisaari për Kosovën?

Kai Sauer: Unë mendoj se ai ka qenë një plan i bërë jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin. Ju me siguri i njihni planet si ai Erdut për Kroacinë, ai i Ohrit për Maqedoninë dhe sigurisht atë të Dejtonit. Të gjitha këto plane kanë pasur disa gabime. Ato kanë qenë shumë të vështira për t’u zbatuar. Unë mendoj se plani i Ahtisaarit ka qenë më i miri, krahasuar me planet e tjera në rajon. Ironia është se plani nuk u pranua nga Këshilli i Sigurimit të OKB, për shkak të një anëtari të tij. Plani i Ahtisaarit ishte përpiluar me kujdes jo vetëm nga Ahtisaari, por nga disa institucione të tjera ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, Komisioni i Venecias për aspektet konstitucionale të planit, OSBE dhe OKB për aspektet e të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave të njeriut, etj. Kështu që ishte plan  gjithëpërfshirës dhe i balancuar shumë politikisht, dhe u mbështet nga të gjitha vendet anëtarë të Këshillit të Sigurimit, me përjashtim të njërit vend anëtar.

Është në natyrën e njeriut që nganjëherë duhet të kalojnë 10 ose 20 vjet deri sa të pranojë një gjë që e ka parë fillimisht si të papranueshme. Njeriu provon rrugë të tjera, humbet kohë dhe energji, dështon dhe kthehet më në fund tek ideja fillestare. Disa aspekte të planit të Ahtisaarit mund të përdoren në të ardhmen.

Deutsche Welle: Korrigjime kufijsh apo këmbime territoresh nuk kanë qenë pjesë e planit të Ahtisaarit. Pse po flitet për to tani në Ballkan?

Kai Sauer: Është e vërtetë që në diskutim janë futur kufijtë. Sidoqoftë, ato nuk kanë qenë pjesë e planit të Ahtisaarit dhe askush nuk donte ndryshime kufijsh. Në diskutimet për ndryshime kufijsh kemi të bëjmë me ndjeshmëri dhe rreziqe të caktuara. Nuk është komuniteti ndërkombëtar, as përfaqësuesit e institucioneve evropiane ata që i kanë ngritur këto ide si të mundshme. Unë mendoj ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm nëse e marrim parasysh këtë ide. Ajo që është e qartë është se duhet të punojmë së bashku, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara dhe palë të tjera të interesuara që çështja e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë të ketë një përfundim. Të dyja vendet duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, por pa zgjidhjen e kësaj çështjeje bilaterale kjo nuk duhet të jetë e mundur.

Deutsche Welle: Uashingtoni dhe Brukseli nuk po japin deklarata në publik. A është shkëputur Brukseli dhe Uashingtoni nga politika e mëparshme e mosprekjes së kufijve?

Kai Sauer: Unë nuk mund t’ i jap përgjigje kësaj pyetjeje. Ju duhet të pyesni BE dhe Uashingtonin. Ajo që kam parë unë është se Ballkani Perëndimor është kthyer sërish në agjendat tona. Nuk është si duhet të jetë, por ne nuk duhet të trembemi nga përgjegjësitë që kemi, sidomos nga shqetësimet që kanë vetë vendet. Kështu që kur të vijë vjeshta dhe njerëzit të jenë kthyer nga pushimet, diskutimet do të vazhdojnë duke dhënë mbase edhe përgjigjet.

Deutsche Welle: Ju vazhdoni të merreni me Ballkanin Perëndimor? Ekziston ndonjë plan për Ballkanin Perëndimor?

Kais Sauer: Unë i ndjek zhvillimet në rajon. Unë mendoj se për arsye të ndryshme fokusi ndërkombëtar është duke u kthyer në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shumë aktorë janë përfshirë në të. Ju me siguri keni vënë re se janë publikuar shumë studime dhe artikuj. Unë do të përmendja një studim të bërë nga EastËest Institute, që jep disa rekomandime për administratën amerikane.

Deutsche Welle: Po, unë kam qenë në prezantimin e studimit. Por, aty askush nuk foli për ndryshime kufijsh.

Kai Sauer: Po. Shumë autorë dhe akademikë që kanë shqyrtuar me kujdes situatën, shprehin rezervat e tyre dhe duan të jenë të kujdesshëm kur flasin për ndryshim kufijsh. Sipas studimeve, kjo nuk është një alternative popullore.

Deutsche Welle: A kanë Kombet e Bashkuara ndonjë plan për Kosovën?

Kai Sauer: Ndikimi i OKB-së është i kufizuar. Kombet e Bashkuara janë ekzekutuese, jo vendimmarrëse. Vendimet i marrin vendet anëtare dhe OKB i zbaton ato. Zyrtarisht OKB i detyrohet rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, të adoptuar më 1999. Duke qenë taksapagues për OKB-në unë shtroj pyetjen nëse burimet e shterueshme të OKB-së, janë shpenzuar si duhet në zbatimin e kësaj rezolute dhe mbajtjen e operacioneve paqeruajtëse. Ka vite që ne nuk na duhet një operacion paqeruajtës në Kosovë. Operacioni paqeruajtës i OKB-së nuk është model për zgjidhjen e problemeve të Kosovës. Institucionet evropiane duhet të jenë në gjendje ta marrin situatën në dorë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme