Agjencia e Shërbimit të Navigacionit Ajror nuk po mund të rehatohet me pozitat e zëvendësdrejtorëve të saj, raporton KTV.
Edhe asistenti i Ramush Haradinajt, Shpëtim Selmanaj po del të mos ketë bazë ligjore për të vazhduar mandatin e tij që e mori në qershorin e këtij viti.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil ka kërkuar prej Ministrisë së Infrastrukturës që ta anulojë në tërësi procesin e përzgjedhjes dhe procedurave që janë ndjekur pas emërimit të Selmanajt në këtë pozitë.
Vendimi i tyre erdhi pas disa përpjekjeve të dështuara që ta bindin Ministrinë e Infrastrukturës që këtij mekanizmi t’i lejohet qasja në dosjen e kandidatit të përzgjedhur për pozitën e drejtorit financiar.
Rrjedhimisht, disa muaj KPMSHCK-ja kishte pritur nga MI-ja që t’ua dërgojë atyre dokumentet e kërkuara, në mënyrë që të vendosin drejt për lëndën pas ankesës së bërë nga Bujar Ejupi, që ka qenë konkurrent me Selmanajn në këtë pozitë. Por ministria ka heshtur.
Tentimi i tretë i Këshillit ishte përmes takimit të aranzhuar me datën 7.09.2018 që ta vizitojë Ministrinë e Infrastrukturës për të parë dosjen, qoftë edhe në mënyrë fizike. Por, edhe ky rezultoi i pasuksesshëm, pasi MI-ja nuk ka dashur fare të bashkëpunojë më Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.
Për këtë arsye, Këshilli ka kërkuar që të anulohet në tërësi procedura e rekrutimit për pozitën e zevëndësdrejtorit për Shërbime Administrative Financiare në ASHNA dhe të gjitha vendimet, duke obliguar njëkohësisht ministrinë që në një afat prej 15 ditësh ta respektojë vendimin e tyre. Tutje, duke marrë për bazë rrethanat e mosbashkëpunimit në këtë rast, KPMSHCK-ja ka marrë dhe një vendim për ndalimin e 50 për qind të pagës mujore për personat përgjegjës që nuk do të zbatojnë vendimin e Këshillit, duke u thirrur në Ligjin për KPMSHCK-në.
Kohavisioni ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës për arsyet e mosbashkëpunimit me Këshillin por që nga e hëna e javës së kaluar nuk ka marrë përgjigje.
Por jo gjithmonë Ministria e Infrastrukturës nuk ka respektuar vendimet e Këshillit. Qeveria e Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Pal Lekaj, në janar të 2018-s, i kishte shkarkuar të dy zëvendësdrejtorët, me arsyetim se përzgjedhja e tyre në qershor 2016 kishte pasur shkelje procedurale, të cilat ishin theksuar ne vendimin e KPMSHCK-së. Por vendimi ishte respektuar vetëm pasi Bujar Ejupi e Ersen Shileku kishin paditur në Prokurorinë e Shtetit drejtorin e ASHNA-së për keqpërdorim të buxhetit dhe keqmenaxhim në këtë institucion. Sidoqoftë, Shpëtim Selmanaj, që aktualisht është drejtor Financiar në ASHNA, ka ushtruar pozitën e zyrtarit të lartë të Protokollit si dhe këshilltar i Ministrit të Forcës se Sigurisë së Kosovës.
Për vite me radhë, ka shërbyer në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe këtë fakt nuk e ka mohuar kryeministri. Ndonëse ka thënë se nuk ka ndikuar në këtë përzgjedhje, ka pranuar se me Selmanajn ka bashkëpunuar gjatë.