Mustafa për Qeverinë Haradinaj: Qeveri e vendimeve impulsive e të paanalizuara

Prishtinë | 11 Gus 2018 | 14:56 | Nga

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se në gjendjen aktuale, Kosova ka Qeveri të pakicës dhe është e patolerueshme që këto institucione të vendosin për çështjet më themelore të vendit, prandaj duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“LDK-ja e ka votuar për president z. Thaçi, sipas marrëveshjes së koalicionit, partia e tij e ka shkelur marrëveshjen. LDK-ja nuk i jep votë tjetër. Në mandatin e ardhshëm do të qeverisim me partnerë me të cilët mund ta zhvillojmë ekonominë, mund ta luftojmë korrupsionin dhe kapjen e shtetit dhe mund të shënojmë progres në integrimet evropiane dhe euroatlantike”, tha Mustafa në intervistën dhënë portalit Koha.net.

Me rezolutë të Kuvendit, Mustafa thotë se Qeveria është e autorizuar për dialogun. “Është në përgjegjësi të 2/3 të deputetëve të vendosin ndryshe. Sa i përket presidentit, Kushtetuta përkufizon rolin e tij dhe LDK-ja e respekton Kushtetutën. Ai nuk është autorizuar nga Kuvendi për dialog dhe ka filluar krye në vete të dialogojë pa platformë dhe korniza të përcaktuara nga Kuvendi”, thotë Mustafa.

Ai shtoi se ky veprim është i papranueshëm për LDK-në. LDK-ja, thotë ai, konsideron se dialogu mund të drejtohet vetëm nga institucione të cilat do të kenë shumicë të nevojshme parlamentare që veprojnë në suaza të përgjegjësive kushtetuese dhe autorizimeve dhe besimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Procesi i dialogut mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse paraprakisht arrihet një pajtueshmëri e gjerë e subjekteve relevante politike në Kosovë, angazhim aktiv i shoqërisë civile, i komuniteteve joshumicë, si dhe i ekspertëve dhe institucioneve shkencore. Në rrethana të tilla, pas legjitimitetit qytetar përmes votës së lirë, Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme të marrë përgjegjësi aktive në procesin e dialogut.

Mustafa thotë për Koha.net se kjo Qeveri ka konsumuar disa nga efektet e politikave fiskale të Qeverisë së tij, të cilat nxitnin sektorin privat.

“Por me menaxhim të buxhetit pa asnjë nikoqirllëk, po krijon hendeqe të mëdha ndërmjet sektorit privat dhe atij publik dhe pabarazi të konkurrencës në treg. Vendimi për pagesë të gjobës prej 53 milionësh për kompanisë Bechtel&Enka është krejtësisht i gabuar ose i motivuar nga interesa tjera. Në asnjë rrethanë nuk i kemi pasur borxh këto mjete. Është Qeveri e vendimeve impulsive, të paanalizuara në pikëpamje të pasojave, të kompetencave dhe bazës ligjore. Për fat të keq të Kosovës, kemi të bëjmë më një konglomerat autarkik jokompetent, i cili mund të jetë çdo gjë tjetër, por jo Qeveri”, tha kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme