Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2022.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 38.0% në muajin shkurt 2022, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 349.5 milionë Eurosh, krahasuar me deficitin prej 253.3 milion Eurosh sa ishte në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 15.7%.
Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2022 kishte vlerën 65.2 milion Euro, ndërsa importi 414.7 milion Euro, që është një rritje prej 34.8% për eksport dhe 37.5% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 28.9% të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 23.7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.9% e përbëjnë produktet minerale; 5.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 21.0% e përbëjnë produktet minerale; 10.9% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.5% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.0% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.6% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt
prej tyre; 6.5% e përbëjnë mjetet e transportit, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 19.3 milion Euro, ose rreth 29.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15.3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (8.8%), Italia (5.1%), Bulgaria (2.4%), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 190.4 milion Euro, ose 45.9% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 27.8%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Sllovenia (12.4%), Gjermania (10.8%), Italia (4.0%), etj.
Në muajin shkurt 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 22.0 milion Euro, ose 33.8% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 36.7%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (13.4%), Shqipëria (8.8%), Serbia (6.3), Mali i Zi (3.9%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shkurt 2022 arritën në 68.0 milion Euro, ose 16.4% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 36.0%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (5.9%), Maqedonia e Veriut (4.9%) dhe Shqipëria (4.4%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 23.8 milion Euro, ose 36.6%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (23.6%), dhe Zvicra (7.9%).
Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 156.1 milion Euro, ose 37.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.9%) dhe Kina (9.5%).