Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka mbajtur takimin konsultativ me përfaqësues të zyrave
ndërkombëtare për zhvillim dhe të organizatave ndërkombëtare në Republikën e Kosovës.
Sipas një komunikate shtypi, takimi i sotëm shënon një aktivitet të rëndësishëm për regjistrimin e popullsisë, një debat konstruktiv lidhur me finalizimin e përmbajtjes së pyetësorëve të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave 2023.
“Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për caktimin e datës 1 shtator-16 tetor 2023 si periudhë kur do të realizohet regjistrimit i popullsisë në Kosovë, ASK ka intensifikuar përgatitjet për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Kosovë”.
“Dialogu me përfaqësues të zyrave ndërkombëtare për zhvillim dhe organizatave ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, ndikon në arritjen e qëllimit të përbashkët në realizimin e regjistrimit në bazë të praktikave më të mira shtetërore e ndërkombëtare, në përputhje të plotë me rekomandimet ndërkombëtare të OKB-së dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian”.
Sipas njoftimit, Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe përfaqësues të zyrave ndërkombëtare për zhvillim dhe organizatave ndërkombëtare në vend, kanë diskutuar mbi aktivitetet e realizimit të regjistrimit të popullsisë, e me fokus përmbajtjen e pyetësorëve të regjistrimit të popullsisë.
Hapjen e takimit e bëri ud. Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, Ilir Berisha, i cili përmendi rolin e regjistrimit dhe të dhënave statistikore për tërë informacionin zyrtar në Republikën e Kosovës. Ai tutje theksoi që Agjencia e Statistikave të Kosovës, dhe i gjithë stafi i përshirë në projektin e regjistrimit të popullsisë do të
angazhohen maksimalisht për një proces demokratik të regjistrimit, ku të gjithë personat që jetojnë në
Kosovë, pa e anashkaluar askënd, dhe asnjë pjesë të territorit, do të regjistrohen dhe do të numërohen
zyrtarisht. Gjithashtu, do të grumbullohen të dhënat edhe për diasporën.
Udhëheqësja e zyrës së UNFPA në Kosovë, Visare Namani-Mujko, foli mbi rëndësinë e të dhënave të përditësuara statistikore për indikatorë kyç demografik dhe socio-ekonomik.
“Të dhënat e regjistrimit të popullsisë do të ndihmojnë në arritjen e përmbushjes së obligimeve për agjendën evropiane për statistikat, dhe arritjen e agjendës globale për 244 indikatorët e Agjendës për
Zhvillimin e Qëndrueshëm, për thuajse dekadën e ardhshme vitin 2030″, tha ajo.
Zëvendësshefi i Këshillit të Evropës në Kosovë, Tankuz Soykan, tha seregjistrimi i popullsisë është një
aktivitet shumë i rëndësishëm për vendimmarrjen, dhe drejt përmbushjen e kritereve ndërkombëtare
për demokratizimin, sundimin e ligjit, dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ai rekomandoi, që gjatë
implementimit të regjistrimit në vend të aplikohen rekomandimet e dhëna nga Këshilli i Evropës.
Ndërsa, menaxheri i Regjistrimit të Popullsisë, Avni Kastrati i njoftoi pjesëmarrësit lidhur me realizmin e
aktiviteteve të regjistrimit, ku në detaje prezantoi përmbajtjen e pyetësorëve të regjistrimit të
popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.
“Pjesa e dytë e takimit vazhdoi me diskutim konstruktiv mbi përmbajnë e pyetësorëve të regjistrimit.
Përfaqësues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pranuan propozimet dhe komentet që u adresuan,
në mënyrë që pyetësorët e regjistrimit të popullsisë të jenë sa më kualitativ dhe në përputhje të plotë
me praktikat më të mira shtetërore dhe ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.