Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Vdekjeve në Kosovë” për vitin 2019.
Burimi i të dhënave në këtë publikim janë regjistrat themeltarë të vdekjeve, bazuar në Ligjin për Gjendjen Civile, Nr. 04/L-003. Kurse njësitë raportuese janë zyrat e gjendjes civile të Kosovës. Grumbullimi i të dhënave është bërë përmes pyetësorit statistikor për vdekje, Dem-2.
Vdekjet e raportuara nga familjarët dhe të regjistruara në librat amzë për vdekjet, në vitin 2019, kanë qenë 10 560, prej tyre vdekje të ndodhura vetëm në Kosovë 9 430 raste, kurse vdekjet që kanë ndodhur jashtë Kosovës janë regjistruar gjithsej 1 130 raste.
Nga gjithsej vdekjet e raportuara, të ndodhura vetëm në Kosovë, 5 105 raste janë meshkuj, ose 54.1%, dhe 4 325 janë femra, ose 45.9%.
Në institucione shëndetësore kanë ndodhur 42.8% e rasteve të vdekjeve, 55.7% kanë ndodhur në shtëpi dhe 1.5% në vend tjetër.
Sipas komunës, Prishtina prin me 2 609 raste të vdekjeve, ose 24.7%; Prizreni me 938 raste, ose 8.9%; Peja me 639 raste, ose 6.1%, etj. Ndërkaq, mosha e të vdekurve në 81.6% është 60 e më shumë vjeç.
Tremujori i parë i vitit merr pjesë me 27.0%, ndërsa vetëm muaji mars ka 9.5% të vdekjeve të raportuara. Ndërsa, 90.8% e rasteve janë shqiptarë.
Vdekje të dhunshme në vitin 2019 janë raportuar gjithsej 157 raste, ose 1.7%; vdekje në fatkeqësi janë 103 raste, ose 65.6%; vetëvrasje janë 39 raste, ose 24.8%; dhe vrasje janë 15 raste, ose 9.6%. Tek fatkeqësitë, dominon mosha 50 e më shumë vjeç për meshkuj, ndërsa tek vetëvrasjet dhe vrasjet, dominon grup – mosha 20-40 vjeç.
Foshnje të vdekura për vitin 2019 u raportuan gjithsej 189 raste, ku pjesëmarrja e tyre në gjithsej të vdekur është 1.8%. Foshnje të vdekura meshkuj janë 97 raste, ose 51.3%; dhe foshnje të vdekura femra janë 92 raste, ose 48.7%.
Kurse, foshnje të vdekura deri 6 ditë kanë qenë 118 raste, ose 62.4%; 7 deri 27 ditë kanë qenë 45 raste, ose 23.8%; dhe 28 deri në 364 ditë kanë qenë 26 raste, ose 13.8%.
Për më shumë informata lidhur me statistikat e vdekjeve në Kosovë për vitin 2019, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/sociale/demografia-dhe-migracioni