Në debatin publik të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), lidhur me projektligjin e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, u tha se regjistrimi për vitin 2022 do të jetë më cilësor, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se regjistrimi i popullsisë do të shkurtojë kohën dhe do të ofrojë siguri në mbrojtjen e të dhënave.
“Regjistrimi i popullsisë do t’iu ofrojë një pasqyrë për përgatitjen e analizave, apo përpilimin e projekteve kapitale. Regjistrimi po ashtu do të ndikojë në hartimin e politikave. Ky do të jetë më cilësor, teknologjia që do të aplikohet do të jetë më i mirë, do ta shkurtojë kohën, do të ofrojë siguri në mbrojtjen e të dhënave”.
“Ne do të angazhohemi në rritjen e besueshmërisë, në garantimin e përdorimit të këtij informacionit në gjëra të mira”.
Zv. kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha, tha se projektligji në sigurimin e të dhënave do të mundësojnë planifikim dhe zbatim të politikave zhvillimore, krijimin e bazës për të dhëna statistikore mbi karakteristikat demografike dhe socio-ekonomike në vend, hulumtime shkencore etj.
Tutje, Berisha tha se përfshirja e shfrytëzueseve në hartimin e Ligjit është e rëndësishme për të fuqizuar tërë projektin e Regjistrimit.
Ndërsa, menaxheri i Regjistrimit të Popullsisë, ASK, Avni Kastrati, tha se pasi të vendoset data për fillimin e regjistrimit do të bëhet një fushatë intensive për këtë çështje.
Më tej, Kastrati tha se është shumë kompleks ky proces.
“Regjistrimi i popullsisë është sa 4 herë procesi i zgjedhjeve”, u shpreh ai.