ASK: Shkalla e papunësisë në Kosovë 28.7 për qind

Prishtinë | 14 Pri 2017 | 14:21 | Nga

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet kryesore të Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e katërt (TM4) 2017.

Anketa ka pasur shtrirje në 584 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 465 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, del se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, ku në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare, raporton Ekonomia Online.

Në kuadër të popullsisë me moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 41.3 %. Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e katërt (TM4) 2017, është 29.5%.

“Punësimi më i lartë është te meshkujt me 45.6%, ndërsa punësimi te femrat është 12.9%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me rreth 52 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, prodhimit dhe tregtisë me 44%”, thuhet në publikimin e ASK-së.

“Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 14.1%, prodhimi me 12.9%, ndërtimtaria me 12.5 % dhe arsimi me 9.8 %. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim”.

“Sa i përket të punësuarve me kontrata, del se 29.9% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.1% kanë kontratë të përkohshme. Sipas rezultateve të AFP-së në TM4 2017, shkalla e papunësisë është 28.7%”, thekson ASK-ja.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 34.3%, krahasuar me meshkujt me 26.9%. Shkalla me e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 52.2%. Sipas rezultateve të AFP-së në TM4 2017, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 58.7%, me fokus të veçantë te femrat me 80.4 %, krahasuar me meshkujt me 37.6 %.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme