Askush nuk e di kur do të ngriten aktakuzat e para nga Gjykata Speciale

Prishtinë | 06 Nën 2019 | 21:51 | Nga Ekonomia Online

Në Dhomat e Specializuara të Prokurorisë Speciale kanë shkuar tashmë rreth 200 persona për t’u intervistuar.

Gjatë këtij viti Gjykata Speciale dhe puna e kësaj gjykate ka ngjallur debat dhe reagime nga më të ndryshmet si nga politikanët, po ashtu edhe nga shoqëria civile dhe organizatat e dala nga lufta.

Madje, nga OVL e UÇK-së shpesh është përmendur nëntori i vitit 2019 si koha kur pritet të ndodhin arrestimet e para nga kjo gjykatë dhe të ngriten aktakuzat e para.

Në anën tjetër, avokati i akredituar nga Specialja, Tomë Gashi për lajmi.net është shprehur se askush nuk mund të supozojë në lidhje me aktakuzat dhe arrestimet e speciales.

“Nëntori është përmendur më tepër nga Organizata e Veteranëve të Luftës, por nuk duhet të përmenden data e sidomos kur nëntori është muaji më me rëndësi i vitit ku është edhe data e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë”, tha Gashi për lajmi.net.

Më tutje, Gashi është shprehur se përveç vet Gjykatës Speciale askush tjetër nuk e di se kur do të ngriten aktakuzat e para.

“Askush përveç Gjykatës Speciale nuk e di se kur do të ngriten aktakuzat e para dhe kur do të ndodhin arrestimet e para të kësaj gjykate se thuhet të jetë e jona por në fakt nuk po del të jetë ashtu”, tha Gashi më tutje.

Nga OVL e UÇK-së vazhdimisht kanë përmendur se kjo gjykatë duhet të shfuqizohet nga Qeveria e Ardhshme e Kosovës në vitin 2020 kur do të votohet për vazhdimin e mandatit të saj.

Ata nuk kanë mohuar mundësinë e organizimit të protestave kundër kësaj gjykate të cilën po e konsiderojnë të njëanshme, pasi fton vetëm shqiptarët dhe jo serbët.

Nuk është ende e qartë nëse kjo Gjykatë ka siguruar prova për ngritje eventuale të ndonjë aktakuze ndaj ish-pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deri më tani, nëpër Dhomat e Specializuara të kësaj gjykate kanë kaluar edhe figura të profilit të lartë politik dhe “koka udhëheqëse”, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Atje janë intervistuar edhe Rrustem Mustafa, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi e kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj.

Se a do të ndodhin dhe kur do të ndodhin arrestimet dhe aktakuzat e para të Speciales ende nuk dihet asgjë, por kjo Gjykatë po vazhdon punën me një intensitet të lartë kohët e fundit.

Të ngjashme