Asllani, sulmuesi që synon të bëjë emër te Hoffenheimi

Prishtinë | 02 Gus 2020 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Skuadra të mëdha nga Bundesliga e Gjermanisë, si Bayern Munichu, Schalke, Hertha dhe Union Berlini janë munduar që ta bindin Fisnik Asllanin t’u bashkohej në ekip. Konkurrent këto skuadra për ta transferuar 17-vjeçarin e kishin edhe Hoffenheimin. Pandemia e koronavirusit, madje i ka prishur punë Asllanit që ai të takohej edhe me zyrtarë të skuadrës së madhe nga La Liga, Barcelona. Megjithatë, ka qenë pikërisht Hoffenheimi i miliarderit Dietmar Hopp, që e bindi talentin kosovar t’i bashkohet. Asllani u bind kur skuadra e Hoffenheimit i kishte thënë atij se shumë shpejt do të inkuadrohej në ekipin e parë, pasi cilësohet si njëri prej sulmuesve më premtues brenda dhe jashtë Gjermanisë.

“Hoffenheimi ka shumë besim te të rinjtë. Të thonë ‘luaj dhe mos u frikëso’, për dallim prej ekipeve të tjera. Te Hoffenheimi të përkrahin shumë dhe të inkurajojnë të luash e kënaqesh. Ke më shumë hapësirë, më shumë mundësi”, thotë Asllani.

Asllani aktualisht është duke kryer përgatitjet stërvitore me skuadrën e dytë të Hoffenheimit, pasi ekipi i parë vetëm sa e ka përfunduar sezonin dhe është në pushim. Ai ka marrë lëvdata të mëdha edhe nga vetë drejtori sportiv i këtij ekipi.

“E zgjodha Hoffenheimin për arsye se më kanë dhënë kontratë profesionale katërvjeçare. Nuk më kanë transferuar për të luajtur me ekipin e dytë, por me të parin. Drejtori sportiv i ekipit më ka thënë se është gëzuar shumë që kam vendosur për Hoffenheimin dhe se do të bëjnë gjithçka që unë të arrij sa më lart që është e mundur”, insistoi ai.

Të ngjashme