“Asociacioni ka vdekur”, edhe Donika Gërvalla e ftuar për takimin në ambasadën e SHBA-së

Prishtinë | 29 Jan 2023 | 13:17 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka marrë po ashtu ftesë për tubimin e 31 janarit në Ambasadën e ShBA-së ku do të diskutohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Po, në cilësinë e zv.kryeministres është ftuar kryetarja e Listës Guxo. Sa i përket pjesëmarrjes mund ta them se do të jemi të përfaqësuar,”- ishte shprehur deputetja e Guxo dhe grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Jeta Statovci.

Ftesa për Gërvallën erdhi vetëm disa ditë pasi ajo deklaroi se propozimi për Asociacionin kishte vdekur dhe nuk mund të ringjallej.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është marrëveshja e vetme e nënshkruar në Bruksel që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar më 2013 marrëveshjen për formimin e asociacionit. Më 2015 është nënshkruar një marrëveshje tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij asociacioni.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën, por që nenet mund të harmonizohen.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar më 19 prill 2013, e më pas edhe i elaboruar në shtatë kapituj më 2015, të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje, nga 33 marrëveshjet e Brukselit, që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”.

Të ngjashme